TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia14 Qershor 2025, 12:03

Kujt do t’ia dhurojë Babloku, 5211 m2 të Postës Kufitare Vivar në Ksamil përballë Korfuzit?

Shkruar nga Pamfleti

 Kujt do t’ia dhurojë Babloku, 5211 m2 të Postës Kufitare

Me një vendim të maskuar si teknik, Rama i kalon ish-postën kufitare në Ksamil te Korporata e Investimeve Strategjike, duke e përgatitur për një koncesion; me gjasa për ‘trafikantin e preferuar të jugut’, Gjergj Luca...

Vetëm një javë pasi shpalli dhënien me koncesion të rezidencave qeveritare në Vlorë dhe Velipojë, përmes Korporatës së Investimeve Strategjike, kryeministri Edi Rama është vërsulur mbi pasuritë e mbetura në zonat më të lakmuara të bregdetit jugor.

Me Vendimin Nr. 320, datë 11 qershor 2025, qeveria i ka hequr Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të drejtën e administrimit të ish-postës kufitare Vivar në Ksamil, dhe ia ka kaluar Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, një ent që aktualisht shërben si stacioni tranzit për pasuritë që i kalojnë më pas Korporatës së Investimeve Strategjike, për t’u privatizuar përmes PPP-ve të përzgjedhura.

Kujt do t’ia dhurojë Babloku, 5211 m2 të Postës Kufitare

Për të fshehur realitetin, në tekstin e vendimit, objekti është shënuar si “Postë Kufitare në Sarandë”, pa specifikuar se bëhet fjalë për postën Vivar, e cila ndodhet buzë detit në Kepin e Stillos, një nga pikat më të lakmuara të bregdetit shqiptar, përballë Korfuzit, pranë Butrintit dhe ngjitur me liqenin e Xarrës.

Por e vërteta figuron në dokumentet kadastrale: sipërfaqja përfshin 5211 m² tokë, nga të cilat 280 m² janë ndërtesë dy katëshe, e ndërtuar për shërbime kufitare, sot e kthyer në trofe për pazare politike dhe interesa privatë.

Kjo lëvizje nuk është e rastësishme. Disa kohë më parë, Rama ia hoqi këtë objekt Policisë së Shtetit dhe ia kaloi për administrim Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, me firmën e ministres Mirela Kumbaro, e njohur në qarqet e pushtetit si “ustalleshë e parcelave të vogla me vlerë të madhe”.

Tani, me të njëjtin mekanizëm, Rama ia hoqi edhe Kumbaros dhe ia dorëzoi Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, institucioni që tashmë po përdoret për të “përgatitur” pasuritë shtetërore për shndërrim në prona private, ashtu siç ndodhi me rezidencën e Velipojës, dhënë në mënyrë të dyshimtë deputetit mafioz të Shkodrës, Agron Çela.

Sipas të dhënave të siguruara nga “Pamfleti”, qëllimi është i qartë: Kjo pasuri do të kalojë te Korporata e Investimeve Strategjike, për t’u shpallur më pas me koncesion si "zonë turistike e zhvillimit të qëndrueshëm", me të njëjtën formulë të përdorur për vijat bregdetare në Sarandë, Vlorë dhe Velipojë.

Pyetja që ngrihet është: Kujt do t’ia dhurojë Babloku këtë pasuri?

Burime nga brenda strukturave vendimmarrëse të Korporatës së Investimeve bëjnë me dije se janë përmendur emra të njohur në skenën e oligarkisë së jugut. Në krye të listës përmendet Gjergj Luca, të cilit Edi Rama i ka dhënë më parë me koncesion liqenin e Xarrë-Bufit për peshkim dhe kultivim midhjesh, zona që kufizohet direkt me ish-postën kufitare të Vivarit.

Duke parë precedentët, gjithçka tregon se kjo pronë shtetërore është e destinuar të shkojë te ndonjë nga oligarkët ose trafikantët që shërbejnë si “gardianë lokalë” të interesave të qeverisë, të shpërblyer me troje strategjike për heshtje, përfitime elektorale dhe shërbime mafioze. Si gjithmonë, në emër të “zhvillimit ekonomik” dhe “investimeve strategjike”, pasuritë publike të bregdetit po kalojnë në duar private, me firma të heshtura dhe vendime të fshehta që nuk kalojnë kurrë në sytë e qytetarëve, por vetëm në dosjet e oligarkëve./Pamfleti

posta kufitare vivar- ksamil përballë korfuzit babloku

Lini një Përgjigje