Kryeministri Edi Rama me të drejtë tha dje se Sali Berisha po fyente zonën e Lezhës, duke i ofruar si kandidat për deputet Gjin Gjonin, simbol i korrupsionit në drejtësi.
Por, duket se Rama nuk ndryshon shumë nga Berisha në këtë aspekt. Rama ka konfirmuar kandidat për deputet në Elbasan kreun e Spitalit të Elbasanit, Agron Gaxho, simbol i abuzimit me pushtetin në Elbasan. Bazuar në disa evidenca dhe rrethana, kandidatura e Agron Gaxhos është një fyerje që Rama i bën Elbasanit.
Agron Gaxho, ish drejtor pyjesh i Fatmir Mediut, ku ky i fundit ishte ministër i Mjedisit, ka përvetësuar pasuri publike në Elbasan duke i kthyer në biznese private. Vëllai i Agron Gaxhos, Nik Gaxho, një personazh me të shkuar të errët jashtë vendit, është drejtor i ndërmarrjeve të falimentuara të shtetit në Elbasan. Disa nga ndërmarrjet ushtarake dhe civile janë grabitur nga Agron Gaxho, përmes familjarëve të tij, duke ua dhënë me qira disa sipërmarrësve italianë.
Bar-kafe IME, restorant, lavanderi etj., pra një kompleks binesesh në Elbasan, janë pasuri e drejtorit Agron Gaxho, i cili ka tjetërsuar pasuritë publike si dhe ka investuar para të dyshimta, duke i kthyer në biznes familjar. Gjithashtu, Agron Gaxho fshihet edhe pas një hidrocentrali në Gjinar të Elbasanit dhe pasurive të tjera me vlerë qindra mijëra euro.
Ndërkaq, Agron Gaxho është një nga linjat e korrupsionit me tendera të Gentian Sharrës, pjesë e bandës së Talo Çelës. Në prag të festave të fundvitit, më 30 dhjetor 2022, kreu i spitalit rajonal “Xhaferr Kongoli” të Elbasanit, Agron Gaxho, rinovoi për të tretin vit radhazi me Olta Sharrën kontratën e shërbimit të gatimit dhe shpërndarjes së ushqimit për pacientët e spitalit të tij. Olta Sharra është bashkëshortja e Gentian Sharrës. Në kohën kur Agron Gaxho i rinovoi kontratën, subjekti “Olta Sharra” ndodhej prej gjashtë muajsh nën sekuestro nga SPAK si një derivat i dyshuar i burimeve kriminale.
Gjatë viteve 2023-2024, kohë gjatë të cilës Gentian Sharra qëndronte në burg, ka marrë qindra mijëra euro para publike, përmes bashkëshortes Olta Sharra, nga Spitali i Elbasanit dhe Spitali Psikiatrik i Elbasanit. Gentian Sharra është dënuar më parë për trafik droge, ndërsa rezulton pjesë e bandës së Talo Çelës në disa grabitje me dhunë gjatë 10 viteve të fundit.
Agron Gaxho është lidhje e ngushtë e Eral Myftarajt, simbolit të korrupsionit me tendera në Qarkun e Elbasanit, mashtrimit me zbatimin e kontratave dhe dokumenteve false. Rreth 9 milionë euro tendera që Eral Myftaraj ka marrë nga spitalet e Elbasanit, bashkë me Nazif Bajramin, i skeduar për trafik kokaine në Zvicës, dyshohet se i ka marrë me ndihmën e Agron Gaxhos. Një pjesë e parave besohet se kanë përfunduar në xhepat e disa deputetëve të PS, të cilët qëndrojnë pas Eral Myftarajt, i cili ka blerë edhe një jaht me paratë e korrupsionit me tendera./Prapaskena
Lini një Përgjigje