
Inspektorati që u ngrit për të bërë publikë pasuritë e zyrtarëve, është kthyer në mburojë të korrupsionit; projekti i financuar nga BE dhe SHBA për deklarime online ka dështuar, ndërsa faqja zyrtare është jashtë funksioni...
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, është shndërruar në një “bunker” të vërtetë ku politika shqiptare fsheh miliarda euro pasuri të padeklaruara.
Institucioni që duhej të ishte garant i transparencës dhe një armë kundër korrupsionit, sot shërben si mburojë për politikanët dhe zyrtarët e lartë, duke i mbajtur të izoluara deklaratat e tyre financiare.
Prej vitit 2018, me financime të USAID-it dhe Bashkimit Europian prej mbi gjysmë milioni euro, u ngrit një sistem elektronik që duhej të bënte publikë formularët e pasurive online. Projekti u prezantua si revolucion në transparencë, por realiteti është krejt ndryshe: sistemi ka dështuar, faqja e institucionit bie shpesh, dhe publikimi i pasurive është i pamundur edhe kur bëhen kërkesa zyrtare me shkrim.
Në praktikë, ILDKPKI ka fshehur informacionin në vend që ta hapë. Kushdo që sot mund të tentojë të futet te faqja e ILDKP, nuk ka askes. Faqja ka disa ditë që ka rënë dhe nuk dihen arsyet.
Raporti i fundit i Komisionit Europian për sundimin e ligjit (2025) e dënon ashpër këtë gjendje. Brukseli konstaton se deklaratat e pasurive “nuk janë të aksesueshme publikisht dhe kërkojnë autorizim nga vetë inspektorati”.
Për më tepër, ILDKPKI verifikon vetëm një përqindje të vogël të formularëve, nuk aplikon analiza të riskut dhe nuk ka identifikuar asnjë rast të konfliktit të interesit gjatë vitit 2024. Ndërkohë, zyrtarët e nivelit të lartë mbeten të paprekur, ndërsa kallëzimet e pakta janë adresuar ndaj ish-zyrtarëve apo individëve të nivelit të ulët.
Edhe pse institucionit i janë derdhur miliona euro ndërkombëtare, rezultatet janë shifra anemike. Në raportin e vitit 2024, ILDKPKI deklaroi vetëm 23 raste kallëzimesh penale, ku vetëm një u referua në SPAK. Ky numër qesharak bie ndesh me realitetin e një vendi ku korrupsioni është i kudogjendur dhe ku raportet ndërkombëtare e cilësojnë pasurimin e paligjshëm të politikanëve si problem themelor të shtetit.
Në vend që të jetë një derë e hapur për qytetarët, ILDKPKI është kthyer në një bunker i betonuar, ku pasuritë e politikanëve fshihen, mbrohen dhe arkivohen larg syrit të publikut. /Pamfleti
Lini një Përgjigje