
Pas premtimit për një “godinë të re parlamentare”, Rama hap rrugën për rrafshimin e parlamentit dhe kthimin e truallit në kulla, një projekt i nisur që në vitin 2010 si marrëveshje mes tij dhe Berishës...
Në Asamblenë e PS-së, Edi Rama kaloi në heshtje një nga vendimet më të rënda: rrafshimin e godinës së parlamentit dhe ndërtimin e një të reje “dinjitoze”.
Mesazhi i koduar është i qartë: trualli ku sot është parlamenti do të kthehet në shesh ndërtimi kullash për oligarkët, familjarët dhe miqtë e Kryeministrit.
Ky territor në zemër të Tiranës ka qenë prej kohësh në listën e pasurive për grabitje. Skema është e njëjtë: qeveria jep truallin publik, merr vetëm 3% sipërfaqe për bashkinë(here i merr e here jo), ndërsa pjesa tjetër shitet me çmime stratosferike mbi 5000 euro/m2.
Historia nuk është e re. Në vitin 2010, Berisha, Meta dhe Rama si kryebashkiak, miratuan projektin për kulla dhe Xhaminë e Madhe. Pas disa ankimimeve, gjykata pezulloi vetëm kullat pranë xhamisë, por leja për selinë e PD-së dhe parlamentin mbeti. Në vitin 2013, para largimit nga pushteti, Berisha e çoi vendimin në KKT: rrafshim i parlamentit, zhvendosje në një zonë tjetër dhe zhvillim me kulla i truallit. Por në momentin që humbi zgjedhjet, e ndryshoi planin dhe e bëri SHQUP-in seli të PD-së, nga frika se Rama do ta linte familjen Berisha jashtë pazareve.
Sot, pas 12 vitesh në pushtet, Rama e ringjall planin, duke përdorur si justifikim nevojën për një parlament “modern”. Por sinjalet janë të qarta: trualli i parlamentit, i selisë së PD-së dhe i lulishtes “Fan Noli” do të bëhen kulla. Dhe nuk është çudi që Rama dhe Berisha ta kenë rihapur marrëveshjen e vjetër, tani që Berisha ka rimarrë vulën e partisë dhe përfaqësimin ligjor, duke pasur në dorë të shndërrojë edhe selinë e PD-së në kullë.
Ky është thelbi: shkatërrimi i institucioneve për t’i kthyer në kulla. Nga marrëveshja e Kushtetutës më 2008, tek pazari i 2010, leja e 2013 dhe rihapja sot, gjithçka është një vijë e pandërprerë mes Ramës dhe Berishës. Parlamenti është vetëm fasada, sheshi i kullave është tregu i vërtetë./Pamfleti
Lini një Përgjigje