TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia11 Shtator 2025, 10:19

Si po fshihet skandali i tragjedisë së Shkodrës, ku implikohet policia

Shkruar nga Pamfleti

Si po fshihet skandali i tragjedisë së Shkodrës, ku implikohet

Masakra në zemër të qytetit nxori lakuriq paaftësinë e policisë, ndërsa drejtori Ilir Proda mori poza triumfi për një operacion që theu çdo protokoll dhe vuri në rrezik jetën e efektivëve...

Ilir Proda, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, doli në media duke marrë mbi vete lavdinë e arrestimit të Ragip Gilës, autorit të masakrës në Shkodër.

Në fakt, Gila u neutralizua shpejt, por jo falë profesionalizmit të policisë, por thjesht sepse fati nuk deshi që të ndodhte një tragjedi edhe më e madhe.

E hëna e Shkodrës nxori zbuluar gjithçka: atentati në qendër të qytetit, dy të vrarë dhe dy të plagosur, ndodhi para selisë së bashkisë, në një lokal të mbushur me qytetarë.

Policia nuk kishte asnjë informacion, asnjë politikë parandaluese, asnjë kontroll mbi territorin. Masakra ndodhi sepse shteti është i dorëzuar përballë krimit.

Ragip Gila, që nuk arriti të eliminonte objektivin e tij, Erogen Vason, u kthye në një minë me sahat. Në panik, vrau, plagosi, shkaktoi aksidente dhe në fund u arratis drejt lumit Kir. I armatosur me automatik modern, ishte rrezik permanent për qytetarët dhe për policët. Në këtë situatë, protokolli i ligjit është i qartë: thirren Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me armatim dhe trajnim special për raste të tilla.

Çfarë bëri policia? Dërgoi grupe ‘Shqiponjash’ me pistoleta të ordinancës, pa mbrojtje, si në dasëm. Po sikur Gila, në krizë paniku, të kishte qëlluar drejt tyre? Kush do të mbante përgjegjësi për gjakun e efektivëve? Ky ishte një akt i papërgjegjshëm, një shkelje flagrante e protokollit dhe ligjit.

Sot Ilir Proda del në media me poza triumfi, ndërsa realiteti është i thjeshtë: policia u tregua e papërgatitur, pa inteligjencë dhe pa strategji. Shqipëria nuk ka nevojë për drejtorë që bëjnë propagandë pas masakrave, por për një polici që parandalon krimin dhe mbron qytetarët. Nëse urdhri për dërgimin e policëve si ‘cjapi te kasapi’ ka ardhur nga qendra, atëherë Drejtori i Përgjithshëm duhet të shkarkohet menjëherë dhe të dalë para organeve ligjzbatuese.

Në Shkodër u derdh gjak dhe qyteti u trondit. Policia nuk ka asnjë arsye për t’u lavdëruar. E vetmja gjë që duhet të kishte bërë, ishte një analizë e ftohtë dhe marrja e masave. Por në Shqipërinë e Edi Ramës, edhe tragjeditë kthehen në spektakle propagande./Pamfleti

skandali i tragjedisë së shkodrës ku implikohet policia ilir proda

Lini një Përgjigje