TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia13 Shtator 2025, 14:09

Albana Koçiu, gruaja që do bëjë histori në Ministrinë e Brendshme

Shkruar nga Pamfleti

 Albana Koçiu, gruaja që do bëjë histori në

Në një vend me dhjetëra banda dhe baronë droge, drejtësia e policisë i besohet një social-punonjëse të lodhur…

Shqipëria më në fund bëri histori: një grua në krye të Ministrisë së Brendshme. Emri i saj është Albana Koçiu. Media e servilëve u kujdes ta quajë “ylli i parë i policisë shqiptare”, një hap gjigant për barazinë gjinore, një gur themeli për modernizimin e shtetit. Nga një sallë e errët burrash, doli në pah një figurë e re, e cila, sipas propagandës, do të sjellë rend, siguri dhe integritet. Brukseli duhej të duartrokiste, Tirana të ndiente krenari, dhe populli të frymëzohej. Një simbol që do të bënte epokë.

Por kur dritat e propagandës fiken, realiteti duket grotesk. Shqipëria është një vend me dhjetëra banda që sundojnë gjithandej, me baronë droge e prostitucioni që operojnë nga Shkodra në Athinë, dhe nga Tirana në Mexiko, me trafikantë që bëjnë ligjin edhe në zemër të Evropës. Dhe përballë këtij realiteti, Edi Rama vendosi një grua, me diplomë për punë sociale. Një ministre që di të shpërndajë formularë ndihme ekonomike, jo të komandojë operacione kundër krimit.

Ky është kulmi i farsës: një ministre që nuk u emërua për të luftuar krimin, por për të zbukuruar fasadën. Një shërbëtore e bindur që do të lexojë me zë të butë direktivat e shefit, ndërkohë që bandat vazhdojnë të sundojnë dhe policia vazhdon të jetë pjesë e krimit. Në këtë mënyrë, Albana Koçiu nuk është ylli i parë i policisë, është thjesht një yll i rremë, i varur në qiellin e propagandës, ndërkohë që në tokë Shqipëria vazhdon të zhytet në errësirën e bandave./Pamfleti

albana koçiu ministria brendshme

Lini një Përgjigje