Bashkia Sarandë blen ushqime për 250 familje, ndërsa pasuritë publike vijojnë të shpërndahen për klientët e pushtetit...
Në prag të mbylljes së vitit me pazare tenderësh, plazhesh, lejesh ndërtimi, trojesh, dhurim tokash dhe pyjesh për miqtë e tij dhe klientët e pushtetit, Kryetari i Bashkisë Sarandë, pasanik Oltion Çaçi, ka menduar të “lumturojë” disa familje të varfra me rastin e festave të fundvitit.
Më 19 dhjetor, kryebashkiaku Çaçi ka shpallur një ankand me vlerë të vogël për të blerë ushqime, të cilat do t’i ndajë në 250 qese dhe do t’ua dhurojë 250 familjeve në nevojë, sipas një liste të hartuar nga Dega e PS-së në Sarandë.
Këtë ankand, kryebashkiaku Oltion Çaçi, pronar hotelesh luksoze në Sarandë, Ksamil, Vlorë, Himarë dhe Durrës, e ka deklaruar si “shpenzim për aktivitetet e festave të fundvitit që organizon Bashkia e Sarandës”, kur faktikisht bëhet fjalë për qese me lëmoshë ushqimore për 250 familje.

Në total, do të blihen nga 500 kilogramë miell, sheqer, oriz dhe vaj; 250 kilogramë fasule, 250 kilogramë makarona, si dhe lëngje, kadaif, biskota dhe kafe.
Çdo qese do të përmbajë nga 2 kilogramë sheqer, miell dhe oriz, nga 1 kilogram fasule, 2 litra vaj, 2 bidona me lëngje nga 1.5 litra secili, 1 pako biskota 250 gram, 1 pako kadaif 600 gram dhe 1 pako kafe 100 gram.
Ankandi do të zhvillohet në datën 22 dhjetor, ndërsa në vend të kryebashkiakut pasanik Oltion Çaçi ka firmosur zëvendëskryetari Florian Sali, pronar pikash dhe depozitash karburanti në Sarandë dhe Ksamil, i cili zotëron edhe licencën zonale monopol për furnizimin e jahteve, trageteve dhe anijeve me karburant./Pamfleti
Lini një Përgjigje