
Nga faturat false të TVSH-së te kompanitë fantazmë: dënim formal, pastrim real dhe dosje të hapura në SPAK...
Pas logos dhe licencës së kompanisë “Lekbibaj Energy Sh.p.k.”, të krijuar më 17 shkurt 2022, administrator dhe ortak me 50% është Elton Beqiraj, për aktivitetin e së cilës nuk ka të dhëna financiare dhe bilance tatimore.
Këtë fshehje të dhënash, që ka si pasojë pastrimin e milionave me burim aferat korruptive dhe aktivitetet kriminale, Elton Beqiraj e ka praktikë biznesi dhe veprimesh “lavatriçe”, përmes falsifikimeve dhe mashtrimeve fiskale, në bashkëpunim me subjekte shqiptare dhe të huaja.
Më 11 nëntor 2025, Gjykata e Tiranës, me kërkesë të Prokurorisë dhe e mbështetur në prova të krimeve financiare, dënoi Elton Beqiraj, i biri i Lavdosh Beqiraj, Drejtor Kabineti në Bashkinë e Durrësit, me 3 vite burg, konkretisht për krijim skeme mashtrimi dhe vjedhje fondesh publike, nëpërmjet faturave tatimore false të TVSH-së dhe shmangies nga taksat.

Në bashkëpunim me tre shtetasit italianë Andrea Di Dio, Salvatore Castorina dhe Salvatore Cascino, si dhe me ortakun e tij Ilir Qafa nga Berati, falsifikatori Elton Lavdosh Beqiraj nga Durrësi ka lëshuar fatura false të TVSH-së përmes kompanive “Sidec Albenergy”, “Primis”, “Gainsbourg”, “Al Nair Trading” dhe “CS International Consulting”, në dy prej të cilave është ortak.
Fshehja e të ardhurave, falsifikimi i dokumenteve tatimore dhe i bilanceve, si dhe skemat mashtruese të vjedhjes përmes TVSH-së, janë veprat penale për të cilat Elton Lavdosh Beqiraj u akuzua nga Prokuroria dhe u dënua me 3 vite burg dhe 22 milionë lekë gjobë për dy firmat “Primis” dhe “Gainsbourg”, ku ai është ortak dhe të cilat i përdori në krimin financiar.
Kjo u vërtetua gjatë procesit gjyqësor, mbi bazën e provave në dosjen penale nr. 252 të Prokurorisë së Tiranës, e shoqëruar me prova të tjera mashtrimi me faturat e TVSH-së edhe gjatë viteve 2022–2023, kur ishte nën hetim dhe gjykim.
Por dënimi i falsifikatorit Elton Beqiraj rezultoi “vrimë në ujë”, pasi sipas informacioneve që disponon “Pamfleti”, ai u lirua duke paguar çeqe nga milionat që i kishte vjedhur shtetit përmes mashtrimit me faturat tatimore false të TVSH-së, të kryera me grupin mafioz italian, por edhe nga aktivitete të tjera kriminale ku dyshohet se është përfshirë.
Përveç dënimit me burg për mashtrime tatimore në vlera milionëshe, Elton Beqiraj ka dalë edhe në disa dosje të tjera që kanë hetuar BKH dhe SPAK, të cilët e kanë skeduar si subjekt të krimeve të tjera më të rënda.
Provat që kanë dalë dhe janë ende në proces hetimi lidhen me përfshirjen e Elton Beqirajt në aktivitete mashtrimi dhe falsifikimi me tokat në bregdetin e Durrësit, në Komisionin e Pronave dhe Kadastër, duke shfrytëzuar pozicionin e babait të tij si Drejtor Kabineti në Bashkinë e Durrësit.
Në SPAK, ai ka gjithashtu dosje hetimore si “lavatriçe” e parave të trafikantëve të drogës dhe zyrtarëve të korruptuar, nëpërmjet kompanive fantazmë që ka krijuar, për të cilat do të flasim në vijim./Pamfleti
Lini një Përgjigje