TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia11 Qershor 2026, 17:08

Çfarë po fsheh Denar Biba? Autoriteti i Konkurrencës i zhytur në shkelje e afera, ja raporti tronditës

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë po fsheh Denar Biba? Autoriteti i Konkurrencës i zhytur
KLSH & Denar Biba

Auditimi zbulon një seri shkeljesh në procedurat e prokurimit të institucionit që duhet të mbrojë konkurrencën në treg. Nga tenderët për pajisje zyrash deri te blerja e një autoveture, KLSH evidenton kufizim të konkurrencës, gabime në vlerësimin e ofertave, kontrata të lidhura pa dokumentacion të plotë dhe operatorë ekonomikë të shpallur fitues ndonëse nuk plotësonin kriteret.

Denar Biba i Autoritetit të Konkurrencës u shfaq i gangster në Kuvend, duke deklaruar hapur se nuk do të lejojë asnjë auditim nga KLSH për institucionin që ai drejton. Edhe pse ai institucion ka bërë vetëm pazare dhe asgjë tjetër, lepuri fle diku tjetër.

Denari nuk është aq i kulluar sa pretendon. Në vitin 2021 ai u bë drejtor i Autoritetit dhe sivjet mori një tjetër mandat. Në vitin 2024, KLSH kreu një auditim për periudhën 2021-2023 dhe ka gjetur pa fund shkeljesh. Si duket Denari është trembur këtë herë, pasi me gjasë aferat janë shtuar dhe i ka mbyllur derën KLSH. Por çfarë konstatoi Kontrolli i Lartë i Shtetit?

Auditimi për periudhën 2021-2023 nxjerr në pah një tablo problematike, ku tenderët e zhvilluar nga institucioni janë shoqëruar me kritere kufizuese, mungesë dokumentacioni, vlerësime të gabuara të ofertave dhe raste kur operatorë ekonomikë janë shpallur fitues pavarësisht se nuk plotësonin kushtet e kërkuara.

Një nga gjetjet më të forta të KLSH lidhet me tenderin për blerjen e pajisjeve zyrtare dhe informatike për nevojat e Autoritetit të Konkurrencës.

Sipas audituesve, ndonëse procedura ishte klasifikuar si “Tender i Hapur i Thjeshtuar”, Autoriteti kishte vendosur kritere ekonomike dhe financiare që binin ndesh me vetë logjikën e kësaj procedure.

Operatorëve ekonomikë u kërkoheshin bilancet e dy viteve dhe xhiro minimale vjetore në nivelin 90 për qind të fondit limit për secilin vit. KLSH konstaton se këto kërkesa nuk ishin në përputhje me rregullat e prokurimit publik dhe kishin efekt të drejtpërdrejtë në kufizimin e pjesëmarrjes së biznesit të vogël dhe të mesëm.

Madje kriteret u kundërshtuan edhe nga operatorët ekonomikë, duke sjellë ankesa pranë Autoritetit Kontraktor dhe Komisionit të Prokurimit Publik. Vetëm pas ndërhyrjes së KPP-së dhe ankesave të operatorëve, Autoriteti u detyrua të ndryshonte dokumentet e tenderit.

Por tenderi për pajisjet informatike nuk është rasti i vetëm. Në procedurën për blerjen e një autoveture të re për nevojat e Autoritetit të Konkurrencës, KLSH evidenton një seri shkeljesh që nisin që në ngritjen e grupit të punës.

Audituesit konstatojnë se kryetari i grupit të ngritur për llogaritjen e fondit limit nuk plotësonte kriteret e kërkuara ligjore, pasi nuk kishte arsimin e nevojshëm për funksionin. Në të njëjtën kohë, specialisti i fushës që duhej të merrte pjesë në hartimin e specifikimeve teknike nuk rezulton të ketë marrë pjesë fare në proces dhe as të ketë nënshkruar dokumentacionin përkatës.

Për pasojë, grupi që duhej të përcaktonte fondin limit të tenderit funksionoi me vetëm dy anëtarë, në kundërshtim me kërkesën ligjore që këto struktura të kenë numër tek anëtarësh.

Edhe më shqetësues është fakti se, sipas KLSH-së, fondi limit nuk ishte argumentuar. Në dosjen e tenderit mungojnë gjurmë të studimit të tregut dhe nuk provohet marrja e ofertave nga të paktën tre operatorë ekonomikë, siç kërkohet nga rregullat e prokurimit.

Në procesverbalin e grupit të punës, audituesit konstatojnë se fondi limit është përcaktuar thjesht mbi bazën e fondit të disponueshëm në buxhet dhe jo mbi çmimet reale të tregut.

Por pjesa më e rëndë e auditimit lidhet me operatorin ekonomik të shpallur fitues.

KLSH konstaton se kompania fituese nuk plotësonte një nga kriteret themelore të tenderit, atë të disponimit të dy inxhinierëve mekanikë.

Për një prej inxhinierëve të deklaruar, operatori kishte paraqitur një kontratë pune të vitit 2020, ndërsa diploma universitare si inxhinier mekanik ishte lëshuar vetëm në maj të vitit 2023.

Me fjalë të tjera, sipas dokumenteve të paraqitura, personi rezultonte i punësuar si inxhinier mekanik tre vjet përpara se të kishte marrë diplomën si inxhinier.

Auditimi zbulon gjithashtu se dokumentet e paraqitura në sistemin elektronik dhe ato të dorëzuara fizikisht nuk përputheshin me njëra-tjetrën.

Në një dokument personi figuron i punësuar si “këshilltar shërbimi pas shitjes”, ndërsa në dokumentin tjetër mungon krejt përshkrimi i pozicionit të punës.

Pavarësisht këtyre mospërputhjeve, operatori nuk u skualifikua.

KLSH arrin në përfundimin se këto mangësi përbënin shkak të mjaftueshëm për përjashtimin e operatorit nga gara dhe, për pasojë, procedura duhej të ishte anuluar.

Problemet vazhdojnë edhe pas shpalljes së fituesit.

Audituesit evidentojnë se formulari i njoftimit të fituesit nuk ishte nënshkruar nga titullari përgjegjës, raporti përmbledhës i procedurës nuk rezulton i miratuar nga autoriteti kompetent dhe dokumentet e publikimit të kontratës nuk mbajnë nënshkrimet e kërkuara.

Në disa raste procedura ka vijuar përpara megjithëse dokumentet bazë të saj rezultojnë të panënshkruara.

Edhe faza e zbatimit të kontratës rezulton problematike.

Sipas auditimit, automjeti i blerë është kthyer përkohësisht te shitësi për shkak të bllokimit të procedurave administrative, ndërsa në dosje mungojnë procesverbalet që provojnë marrjen në dorëzim të mjetit pas rikthimit të tij.

Pra, sipas KLSH-së, nuk ekziston dokumentacion i plotë që të provojë qartë lëvizjen dhe administrimin e pasurisë së blerë me fonde publike.

Një tjetër detaj që ka tërhequr vëmendjen e audituesve lidhet me vlerën e ofertës fituese.

Në dokumentet e tenderit, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka pasqyruar gabim vlerën e ofertës ekonomike. Ky gabim është përsëritur në procesverbalet e vlerësimit, në vendimin për shpalljen e fituesit, në raportin përmbledhës, në njoftimin e kontratës dhe deri në vetë kontratën e lidhur me operatorin.

KLSH evidenton se gabimi është mbartur në të gjithë zinxhirin administrativ të procedurës.

Në thelb, auditimi ngre një pyetje të fortë: si mund të garantojë konkurrencën në treg një institucion që, sipas organit më të lartë të auditimit në vend, ka zhvilluar tenderë me kritere kufizuese, ka kualifikuar operatorë që nuk plotësonin kushtet dhe ka vijuar procedura me dokumentacion të paplotë apo të panënshkruar?

Por problemet nuk kufizohen vetëm te tenderët.

Një nga konstatimet më serioze të auditimit lidhet me mungesën e auditimit të brendshëm. KLSH evidenton se Autoriteti i Konkurrencës ka funksionuar për vite pa një strukturë efektive auditimi të brendshëm, pavarësisht se ky është një detyrim ligjor për institucionet publike.

Pas përfundimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, institucioni mbeti pa mbulim auditimi të brendshëm, duke krijuar një boshllëk të rëndësishëm në sistemin e kontrollit dhe monitorimit.

Sipas audituesve, kjo situatë ka rritur ndjeshëm riskun për parregullsi financiare, administrative dhe procedurale.

Raporti evidenton gjithashtu se Autoriteti i Konkurrencës nuk ka raportuar në mënyrë korrekte gjendjen reale të sistemit të kontrollit të brendshëm.

Në dokumentet e vetëvlerësimit nuk është pasqyruar siç duhet mungesa e auditimit të brendshëm, duke krijuar një tablo jo të plotë mbi funksionimin real të mekanizmave të kontrollit financiar.

Një tjetër problem madhor lidhet me monitorimin e buxhetit.

KLSH konstaton se gjatë viteve të auditimit nuk janë përgatitur dhe dorëzuar disa nga raportet e detyrueshme të monitorimit financiar. Në disa raste mungojnë raportet 4-mujore, 8-mujore dhe 12-mujore, dokumente që konsiderohen thelbësore për ndjekjen e performancës financiare të institucionit.

Edhe raportet që janë hartuar rezultojnë problematike.

Audituesit evidentojnë se mungojnë analizat mbi mosrealizimin e objektivave, shkaqet që kanë çuar në mosrealizim dhe masat që duhej të merreshin për korrigjimin e situatës.

Sipas raportit, kjo ka sjellë dobësi serioze në monitorimin e fondeve publike dhe në vlerësimin e performancës institucionale.

Probleme janë konstatuar edhe në procesin e menaxhimit strategjik.

KLSH evidenton se në periudha të caktuara mungon dokumentacioni që provon funksionimin normal të strukturave të menaxhimit strategjik dhe diskutimin e kërkesave buxhetore në organet përkatëse.

Në raport përmendet se nuk dokumentohen siç duhet proceset vendimmarrëse lidhur me planifikimin financiar dhe menaxhimin e programeve buxhetore.

Shqetësime janë ngritur edhe për administrimin e proceseve gjyqësore dhe detyrimeve financiare që rrjedhin prej tyre.

Audituesit konstatojnë se Autoriteti i Konkurrencës nuk kishte krijuar bazën e nevojshme të të dhënave për detyrimet që burojnë nga vendimet gjyqësore të formës së prerë dhe nuk kishte ngritur mekanizmat e nevojshëm për administrimin e tyre.

Sipas KLSH-së, kjo situatë rrit riskun e krijimit të detyrimeve të pamenaxhuara dhe kostove shtesë për buxhetin e shtetit.

Raporti evidenton gjithashtu mangësi në dokumentimin e procedurave administrative, mungesë gjurmueshmërie në disa procese vendimmarrëse dhe dobësi në sistemin e kontrollit financiar dhe menaxhimit.

Gjetjet e KLSH

- Vendosje e kritereve kufizuese në procedurat e prokurimit publik.

-  Kufizim i konkurrencës dhe i pjesëmarrjes së operatorëve ekonomikë në tenderë.

-  Kërkesa të pajustifikuara për xhiro dhe kapacitete financiare në procedura të thjeshtuara prokurimi.

-  Ndryshim i dokumenteve të tenderit vetëm pas ankesave të operatorëve ekonomikë dhe ndërhyrjes së Komisionit të Prokurimit Publik.

-  Përllogaritje e fondit limit pa dokumentacion dhe argumentim të plotë.

-  Mungesë e studimit të tregut për përcaktimin e fondit limit.

-  Mungesë dokumentacioni që provon marrjen e ofertave referente nga operatorët ekonomikë.

-  Grupet e ngritura për llogaritjen e fondit limit nuk kanë funksionuar sipas kërkesave ligjore.

-  Anëtarë të grupeve të punës që nuk plotësonin kriteret e nevojshme profesionale.

-  Specialistë teknikë që nuk kanë marrë pjesë realisht në proceset për të cilat ishin caktuar.

-  Shpallje fitues e operatorëve ekonomikë që nuk plotësonin kriteret e tenderit.

-  Mospërputhje mes dokumentacionit të paraqitur në sistemin elektronik dhe dokumentacionit fizik.

-  Mosskualifikim i operatorëve ekonomikë pavarësisht mangësive të konstatuara.

-  Gabime në vlerësimin dhe pasqyrimin e ofertave ekonomike.

-  Dokumente të procedurave të prokurimit të panënshkruara ose të pamiratuara nga autoritetet përgjegjëse.

-  Mungesë dokumentacioni për administrimin dhe marrjen në dorëzim të pasurive të blera me fonde publike.

-  Pagesa mbi vlerën e ofertës fituese dhe konstatim i dëmit ekonomik.

-  Mungesë e funksionit të auditimit të brendshëm për një periudhë të gjatë.

-  Mosgarantim i mbulimit me auditim të brendshëm sipas detyrimeve ligjore.

-  Dobësi në sistemin e kontrollit të brendshëm financiar.

-  Mosraportim korrekt i gjendjes reale të kontrollit të brendshëm.

-  Moshartim dhe mosdorëzim i raporteve të detyrueshme të monitorimit të buxhetit.

-  Raporte monitorimi të paplota dhe pa analiza të mosrealizimeve.

-  Mungesë e analizës së shkaqeve të mosrealizimit të objektivave buxhetore.

-  Mungesë e masave korrigjuese në raportet e monitorimit financiar.

-  Dobësi në monitorimin e përdorimit të fondeve publike.

-  Dobësi në vlerësimin e performancës financiare të institucionit.

-  Mungesë dokumentacioni për funksionimin e strukturave të menaxhimit strategjik.

-  Dobësi në planifikimin dhe diskutimin e kërkesave buxhetore.

-  Mungesë gjurmueshmërie në procese të rëndësishme administrative dhe financiare.

-  Mungesë databaze për detyrimet që rrjedhin nga vendimet gjyqësore.

-  Mungesë strukturash dhe mekanizmash për administrimin e detyrimeve gjyqësore.

-  Risk i shtuar për krijimin e detyrimeve të pamenaxhuara dhe kostove shtesë për buxhetin e shtetit.

-  Mangësi në dokumentimin e procedurave administrative dhe financiare.

-  Dobësi sistemike në prokurime, kontrollin e brendshëm, auditimin, monitorimin financiar dhe menaxhimin institucional. /Pamfleti

 

denar biba klsh

1 Komente

  1. L
    Lira

    Qenka ba nami!

    Lini një Përgjigje