Në kadastrën e kryeqendrës së veriut ecet me parimin: ajo që nuk blihet me lekë, blihet me më shumë lekë...
Një proces i gjithi i bllokuar dhe ku pasojat po i vuajnë qytetarët, Kadastra e Shkodrës është kthyer prej vitesh në makthin e të gjithëve.
Pa ryshfet, të kryesh punë në këtë institucion as që mund ta mendosh, përtej deklarimeve fasadë.
Emërimi i drejtorit të ri Deart Qori i sjellë nga Tirana, është thjesht fasada e radhës e një loje që kërkon t’u hedh hi syve qytetarëve. Asnjë procedurë nuk po realizohet në këto zyra duke bërë që qindra qytetarë që kanë aplikuar online për kartelat e pronësisë apo të tjerë që kërkojnë kontratat e shit – blerjes së pronave, të mbesin pa përgjigje.
Të vetmit që gjejnë zgjidhje janë ato përmes sekserëve që hyjnë dhe dalin në këto zyra duke u takuar sa me punonjësit e sa me drejtorin për të përshpejtuar procedura të caktuara.
Sikur të mos mjaftonin abuzime me legalizimet, çështjet e pronësisë dhe mbivendosjet, në kadastrën e Shkodrës drejtori Qori dhe vartësit e tij nuk zbatojnë as ligjet në fuqi si dhe vendimet e gjykatave mbi pronat. Edhe kur në këto raste ka folur organi me suprem, gjykata e Lartë që vendimet e së cilës marrin formë të prerë. Zvarritje të tilla në këtë periudhë bëhen edhe më të qëllimshme pasi ardhja e emigrantëve rrit pazarin e sekserëve për të kryer punë përmes zarfeve.
Drejtori Qori ashtu si paraardhësit e tij e ka mësuar vallen dhe nuk mund të dalë nga rreshti përballë një ushtrie punonjësish aty brenda që janë kthyer të pangopur nga këto skema. Euro - Lekë - Dollarë, pak rëndësi ka se si janë të futura në zarfe, e rëndësishme është të paguhet mirë për të marrë atë që të takon, e që do të duhej të ishte falas, por që në kadastër ecet me parimin ajo që nuk blihet me lekë, blihet me më shumë lekë. Dosjet e këtij institucioni janë sot të mbushura jo vetëm me mori letrash, por edhe korrupsioni e parash që nuk dihet se kur do të marrin fund! Sorollatjet e qeverisë me aplikime online, apo procedura të filtruara, nuk kanë bërë asgjë tjetër veçse kanë sofistikuar skemën e korrupsionit brenda dyerve të Kadastrës së Shkodrës. Shkodranews në ditët në vijim do të zbardh dosje të plota të korrupsionit sipas sektorëve, nga legalizimet tek certifikatat e pronësisë dhe mbivendosjet e pronës./Shkodranews
Lini një Përgjigje