Me çfarë skenari përfundoi kjo sipërfaqe toke e Gardës së Republikës te xhambazi Artan Lame?
Shtatë muaj pas shkarkimit nga detyra, Artan Lame, drejtori falsifikator e shkatërrues i regjistrave të pasurive dhe grabitës i tyre me oligarkët, trafikantët e pushtetarët, ka nisur një biznes privat mbi truall shtetëror, i maskuar pas OJF-së së tij “Qendra Shqiptare e Trashëgimisë”.
Fakti është ky: Këshilli Bashkiak i Tiranës, me propozim të krye bashkiakut Erjon Veliaj dhe Vendim Nr. 142, datë 23 dhjetor 2022, miratoi dhënien për OJF-në e Artan Lames, të 5000 m2 katrorë truall e 2850 m2 objekte falas të Gardës së Republikës.
Në këtë sipërfaqe trualli e objektesh pronë shtetërore, Artan Lame do zhvillojë një biznes me bar-kafe, restorante, lojëra argëtuese, kioska tregu me qira, kabina relaksi e parkim, të quajtur “Qendra trashëgimia për të gjithë-Garda”.
Kjo sipërfaqe toke e objektesh, krye hajdutit Artan Lame do t’i jepet me afat 30 vite, pa asnjë taksë dhe pa paguar asnjë fitim në arkën e shtetit, nën maskën e OJF-së kulturore-edukative, sikur gjoja nuk do fitojë asnjë qindarkë, paçka se do bëjë biznes të madh ekonomik e tregtar.
Projekti i zhvillimit të këtij biznesi është 3 milionë Euro, të cilat Artan Lame i ka nxjerrë pas largimit nga detyrat 10-vjeçare si Drejtor i ALUIZNI-t, Kadastrës e Kthim-Komisionit të Pronave; miliona të cilat nuk i ka deklaruar se nga çfarë burimesh i ka siguruar.
Për të justifikuar dhe fshehur këto 3 milionë Euro të Artan Lames, me Vendim Nr. 99, datë 15 shtator 2023, Këshilli Bashkiak i Tiranës në unanimitet pozitë-opozitë, i ka dhënë miratim të dytë biznesit të tij, te trualli dhe objektet e Gardës së Republikës; për të cilat, sipas marrëveshjes me krye bashkiakuan Erjon Veliaj, do fillojë punimet për ndërtimin e këtij resorti.

Me çfarë skenari përfundoi kjo sipërfaqe toke e Gardës së Republikës te xhambazi Artan Lame?
Më 18 korrik 2018, kryeministri Edi Rama firmosi kalimin në pronësi të Bashkisë së Tiranës, sipërfaqen 21 mijë e 229 m2 truall bashkë me 2853 m2 ndërtesa, të cilat sipas VKM duhej të përdoreshin nga Bashkia vetëm për nevojat e shërbimeve të saj.
Dy ministrat e Brendshëm, Fatmir Xhafaj e Sandër Lleshaj, nuk e firmosën zbatimin e vendimit të qeverisë.
Ndërsa në shtator 2019, KLSH konstatoi se transferimi i pasurive të Gardës te Bashkia e Tiranës ishte i paligjshëm, por e firmosi Bledar Çuçi 3 ditë pas emërimit ministër i Brendshëm.
Mjaftoi firmosja nga Bledar Çuci, që Bashkia e Tiranës, të miratonte dhënien e 5000 m2, në përdorim prej OJF-së së Artan Lames, për gjoja krijimin e një qendre çlodhëse, edukimi e argëtimi të quajtur “Qendra trashëgimia për të gjithë-Garda AHC”.
Pra, në maskën e qendrës së trashëgimisë kulturore; mbi truallin e Gardës te hyrja e zonës së Liqenit, do bëhet biznes nga Artan Lame dhe shefat që i kanë dhënë falas për 30 vite e pa asnjë taksë këto 5000 m2 pronë shteti.
SPAK të fillojë hetimin për këtë aferë me pasuritë publike dhe burimin e 3 milionë Euro, që Artan Lame ka nxjerrë e do investojë 7 muaj pas largimit nga detyra 10-vjeçare si Drejtor i ALUIZNI-t, Kadastrës e Kthim-Komisionit të Pronave./Pamfleti
Lini një Përgjigje