TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia23 Shtator 2024, 11:31

Andrea Çaushi me resort te Kalaja e Lëkurësit dhe parcela droge në Memaliaj, Selenicë e Ballsh

Shkruar nga Pamfleti
Andrea Çaushi me resort te Kalaja e Lëkurësit dhe parcela
Andrea Çaushi alias Renato Çaushi /

Agjentët e SHISH dhe inspektorët e policisë, anti-krimit e anti-trafikut, i raportojnë parcelat e drogës që mbillen, korren, përpunohen e shiten nga Andrea Çaushi, si dhe për kokainën që shitet te resorti i tij në Kalanë e Lëkurësit- Sarandë; por shefat e policisë e SPAK, vështrojnë si trafikanti Andrea Çaushi pastron e shton milionat e aktivitetit kriminal, ndoshta presin që ai të shkojë t’u ndërtojë lulishte me kanabis te oborret e zyrave...

Vetëm një lidhje e fortë me kupolën politike- qeveritare, ose kapja e kupolës së policisë e drejtësisë, nuk po e prek krye trafikantin Andrea Çaushi nga Kalivaçi i Tepelenës, i cili ka shumë biznese të paligjshme në Sarandë, Gjirokastër, Vlorë, Durrës e Tiranë.

Biznesi kryesor i krye trafikantit e vrasësit Andrea Çaushi, është resorti brenda Kalasë së Lëkurësit në Sarandë, të cilën e ka zaptuar komplet me 7 ndërtesat historike dhe e shfrytëzon privatisht pa leje nga qeveria, por i lejuar në heshtje prej Bablokut e ministrit Blendi Gonxhe.

Biznes tjetër është kompania “Argjiro-Ston-Natyral Sh.p.k”, me aktivitet gurore në Dropull, ku me leje shfrytëzimi e mjedisore, ka 3 mijë m2 sipërfaqe, ndërsa deri tani ka rrafshuar 24 mijë m2 sipërfaqe dhe vazhdon, i mbështetur nga Mirela Kumbaro për të cilën financon e mbledh vota në Tepelenë.

Sipas raporteve të SHISH, krye trafikanti Andrea Çaushi, ka 5 hotele në Sarandë, Vlorë, Himarë dhe 11  apartamente e 4 lokale në Tiranë, investuar me të ardhurat nga trafiku i drogës, gjobë-vëniet, vrasjet me pagesë dhe nxjerrja në kurth të rivalëve, miqve e bashkëpunëtorëve kriminelë.

Këto pasuri të Andrea Çaushit, ashtu si biznesi me resortin pa leje, investim 2.2 milionë Euro te Kalaja e Lëkurësit në Sarandë; i ka të skeduara struktura e anti-krimit deri në qendër; të zbuluara vetë e me të dhëna nga SHISH, Anti-Trafiku dhe Drejtoria e Parandalim-Pastrimit të Parave.

Nga burime konfidenciale, “Pamfleti” ka mësuar, se përveç resortit te Kalaja e Lëkurësit në Sarandë dhe bizneset, hotelet, apartamentet e lokalet në Sarandë, Gjirokastër, Vlorë e Tiranë, krye trafikanti Andrea Çaushi, ka parcela droge në zonat Memaliaj, Mallakastër e Selenicë.

Sipas raportimeve zyrtare të agjentëve të SHISH, inspektorëve të policisë dhe agjentëve të anti-krimit të zonave, rezulton se krye trafikanti Andrea Çaushi alias Renato Çaushi, ka 9 parcela drogë në zonat pyjore të Njësisë Administrative Krahës të Bashkisë-Memaliaj, konkretisht në fshatin e tij Kalivaç dhe fshatrat, Krahës-1, Xhaxhaj, Leshnjë, Allkomemaj e Levan, për të cilat ka dijeni dhe interesim ish-deputeti i PS-ës, Alket Hyseni.

Parcela droge, deri tani 5 të evidentuara, Andrea Çaushi ka dhe në Njësinë Administrative Kutë të Bashkisë-Mallakastër, konkretisht në fshatrat Çorrush e Kutë, ngjitur me fshatin e tij Kalivaç, por dhe në Poçem e Drizarë, për të cilat ka dijeni dhe miku i tij familjar, “non grata” Idajet Beqiri, që është nga ajo zonë e i ka bërë disa herë avokatinë.

Për parcela me drogë të Andrea Çaushit, është raportuar se ka dhe në fshatrat Bejar e Ninësh të Njësisë Administrative Fratar të Bashkisë Mallakastër, por dhe në fshatrat Sevaster e Shkozë; të gjitha të financuara prej tij  dhe në kujdesin me grupe punëtorësh e të fortësh të zonave.

Po sipas informacionit, ai ka mbi 10 vite që kultivon parcela droge në këto zona dhe përpunon e tregton lirisht te grupet e trafikimit në Vlorë e Fier, si dhe e ka trafikuar edhe vetë.

Policia lokale ka raportuar eprorët për këto parcela droge, madje gjatë 3 viteve të fundit, me një urdhër nga kupola e policisë, është hequr nga plani operacional i kontrollit tokësor e vrojtimit ajror, zona e katër- këndëshit Krahës-Kalivaç-Fratar-Sevaster, ku janë parcelat e drogës të krye trafikantit Andrea Çaushi.

Pra, agjentët e SHISH dhe inspektorët e policisë, anti-krimit e anti-trafikut, i raportojnë parcelat e drogës që mbillen, korren, përpunohen e shiten nga Andrea Caushi, si dhe për kokainën që shitet e konsumohet te resorti i tij në Kalanë e Lëkurësit-Sarandë.

Por shefat e policisë nuk veprojnë ndërsa SPAK vështron se si trafikanti Andrea Çaushi, pastron e shton milionat e aktivitetit kriminal, ndoshta presin, që ai të shkojë t’u ndërtojë lulishte me kanabis te oborret e Policisë së Shtetit e te SPAK./Pamfleti

andrea çaushi renato çaushi kalaja e lëkurësit

Lini një Përgjigje