Të gjithë bashkë, që nga Vangjel Dule, Vangjel Tavo, Fredi Beleri, Vasil Bollano, Jorgo Goro, Kristo Kiço; Petro Gjikuria, Panajot Barka e shumë të tjerë si këta, bëjnë sikur janë të përçarë, por janë misionarë të ëndrrës “Vorio Epiri”...
Po përmendim kronologjinë e lëvizjeve joshëse të kryeministrit Edi Rama, për t’u rikthyer te pazaret personale me kryeministrin grek Qirjakos Micotaqis, pas ndarjes për çështjen “Beleri”:
Në datën 4 janar 2024, mediat greke publikuan lajmin, se Edi Rama kishte pirë kafe fshehtas me grekun Vangjel Tavo, ku i kishte propozuar të ishte kandidat i PS-së për Himarën; ndërsa Vangjel Tavo, tha se nuk ishte takuar me Edi Ramën, nuk kishte propozim prej tij dhe se kishte vendosur të mos merrej më me politikë.
Por më 12 janar 2024, greku Vangjel Tavo u bë banor i Himarës, madje u bë anëtar i PS-së në atë bashki, ndërsa më 13 mars u emërua Prefekt i Vlorës dhe drejtues politik për territorin e Bashkisë Himarë.
Më 8 korrik, PS emëroi Vangjel Tavon, kandidat për Bashkinë e Himarës, ndërsa më 18 korrik, ai dha dorëheqjen nga detyra e Prefektit të Vlorës; dhe më 28 korrik, prefekt në vend të grekut Vangjel Tavo, kryeministri Edi Rama emëroi grekun tjetër Kristo Kiço; i cili më parë, sipas formularit të dekriminalizimit, e kishte pasur emrin “Kristaq Katrani”.
Me emërimin e Vangjel Tavos Prefekt në Vlorë, Edi Rama veproi sikur vlonjatët nuk kanë asnjë burrë të denjë e të aftë, për ta drejtuar atë prefekturë, kur qarku ka aktualisht shumë personalitete të shkencës, arsimit, ekonomisë, jurisprudencës, kulturës, politikës e biznesit; ndërsa me emërimin prefekt, të grekut tjetër Kristo Kiço, Babloku i poshtëroi aq shumë vlonjatët, sikur janë shuar burrat e Vlorës.
Nuk themi që individë të minoritetit grek të mos emërohen në detyra zyrtare, por jo të importohen nga Dropulli, Saranda e Finiqi, për të drejtuar Vlorën e Himarën, si akrobaci të Edi Ramës, për të rregulluar raportet personale me kryeministrin grek Qirjakos Micotaqis.
Për më tepër, që i emëruari prefekt i Vlorës, Kristo Kiço, është kryetar i partisë ekstremiste greke “MEGA”, me program anti- shqiptar; madje thuhet, se është filial i partisë naziste greke “Agimi Artë”, dhe në një linjë anti- shqiptare me grupin politiko-ushtarak “Mavi” e organizatën lobiste greke të Nikolas Geixh, që luftojnë për copëtimin e jugut të Shqipërisë.
Nëse Edi Rama, grekun Vangjel Tavo e përdori për Himarën, prefektin e Vlorës, Kristo Kiço e ka përdorur në vitin 2019 duke e caktuar kandidat të PS e partisë greke “MEGA” dhe u zgjodh Kryetar i Bashkisë Finiq.
Në korrik 2023, pas nisjes së çështjes “Beleri”, Kristo Kiçon e emëroi Zv/prefekt në Sarandë, ndërsa në vitin 2021, Edi Rama bëri deputet të PS në Sarandë, Niko Kurin, drejtuesin tjetër të partisë “Mega” e shoqatës “Omonia”.
Por të gjithë bashkë, që nga Vangjel Dule, Vangjel Tavo, Fredi Beleri, Vasil Bollano, Jorgo Goro, Kristo Kiço; Petro Gjikuria, Panajot Barka e shumë të tjerë si këta, bëjnë sikur janë të përçarë, por janë misionarë të ëndrrës “Vorio Epiri”.
Madje bashkë, ishin te protesta për Kaçifasin, por dhe më 26 maj 2022 në Finiq, ku kryetar Bashkie ishte Kristo Kiço, shkoi Ministrja e Kulturës e Greqisë, Lina Mendoni, që quajti zonë e histori greke Parkun Arkeologjik të Finiqit, ndërsa ata e duartrokitën./Pamfleti
Lini një Përgjigje