Në vitet 2017-2019, nga Fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve, u zhdukën 96 vepra të rralla arti, të cilat u ishin dhënë për ekspozim institucioneve qendrore si Presidencës, Kryesisë së Kuvendit, kryeministrisë, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë Kulturës...
Në njoftimin e SPAK për arrestimin e Drejtorit të Rrugëve, Evis Berberi, u tha se në banesë, i janë gjetur piktura e vepra arti, por pa i specifikuar, përveç deklaratës së drejtorit se i ka krijuar vetë.
Gjatë ditëve pas arrestimit, nuk është folur më për veprat e artit që u gjetën te banesa e drejtorit të rrugëve; madje as në lëndën e akuzës, që SPAK paraqiti në seancën gjyqësore për masën e arrestit, ato nuk ishin në akt-konstatimin e sendeve të gjetura.
Përse kjo provë sekuestroje materiale, nuk është futur në listën e sendeve që i janë gjetur e sekuestruar Drejtorit të ARRSH, Evis Beberi; siç u përfshinë telefonat, kompjuterët, USB-të, serverët e kamerave dhe dosjet me dokumente?
Një burim konfident nga grupi operacional që bëri sekuestrimin, tha për “Pamfleti”-n, se në banesën e drejtorit Evis Berberi, janë gjetur 21 piktura dhe 9 skulptura.

Nga konstatimi paraprak, thuhet se këto vepra, janë vjedhur nga inventari i Fondit të Artit Kombëtar, të cilat rezultojnë të humbura në vitet 2017-2019, gjatë ekspozimeve brenda e jashtë Shqipërisë.
Por gjurmimet paraprake, çojnë në vjedhjen e tyre, pasi me vendime të Ministrisë së Kulturës, janë tërhequr nga Galeria e Arteve, Muzeu Kombëtar dhe Instituti i Monumenteve, për gjoja restaurime e ekspozime në rast vizitash të personaliteteve botërore e aktivitete promovimi të artit kombëtar.
Deri tani, është provuar se 21 pikturat dhe 9 skulpturat e gjetura, nuk janë krijime të drejtorit “artist” të rrugëve, siç deklaroi ai në momentin kur iu gjetën në banesë, por janë vepra të çmuara arti shqiptar të shekullit të kaluar e antika të gjurmëve shqiptare.
Saktësojmë, se në vitet 2017-2019, nga Fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve, u zhdukën 96 vepra të rralla arti, të cilat u ishin dhënë për ekspozimi institucioneve qendrore si Presidencës, Kryesisë së Kuvendit, kryeministrisë, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Arsimit, Ministrisë Kulturës etj.
Ato nuk u ri-kthyen në Galerinë e Arteve, dhe u bë kallëzim në Prokurorinë e Tiranës, por çështja u pushua për “mungesë personash përgjegjës”.
Në fakt, persona përgjegjës, ka dhe janë ata që i kanë pasur në inventar, ata që urdhëruan të nxirren nga Galeria e Arteve, Muzeu Kombëtar, Instituti i Monumenteve, si dhe zyrtarët e kryeministrisë, kuvendit, presidencës, ministrive që i kishin marrë e grupi që ekspozoi brenda e jashtë Shqipërisë.
Te pikturat, i vetmi “restaurim” që është bërë, është e fshirja e emrave të autorëve; por pista e hetimit, mund të jetë roli i Drejtorit të ARRSH, Evis Berberi, si fshehës i atyre që i kanë vjedhur realisht, ose që i kanë blerë nga hajdutët./Pamfleti
Lini një Përgjigje