TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 6 Prill 2023, 16:52

Zbardhet vendimi/ GJKKO nxiton të mbyllë me shpejtësi dosjen e Gërdecit, konkluzionet përfundimtare më 24 prill

Shkruar nga Pamfleti

Zbardhet vendimi/ GJKKO nxiton të mbyllë me shpejtësi dosjen e

GJKKO ka pranuar gjykimin e shkurtuar dhe procesi do të kalojë direkt në fazën përfundimtare. Më 24 prill palët do japin argumentet finale…

Zbardhet vendimi i Gjykatës së Posaçme për të pranuar gjykimin e shkurtuar për Fatmir Mediun. Ish-ministri akuzohet për shpërdorim detyre në tragjedinë e Gërdecit dhe sot pati një zhvillim të papritur në seancë. Avokatët e tij kërkuan gjykim të shkurtuar.

Kjo do të thotë se procesi kalon direkt në konkluzionet përfundimtare dhe gjykim bazohet te provat aktuale. Po ashtu, mediu në rast dënimi me burg do ketë ulje me 1/3 të dënimit. Në vendimin e siguruar nga “Pamfleti”, gjykata ka ftuar palët që të japin konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës që do të mbahet më 24 prill dhe më pas brenda pak javësh do të jepet vendimi.

VENDIMI

Gjykata në bazë të nenit 112, 332/dh, pika 1, gërma “c”,  të Kodit të Proçedurës Penale, vendosi:  

I. Pranimin e kërkesës së palës kërkuese, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dërgimin në gjyq të çështjes penale që i përket procedimit penal nr.279, datë 27.10.2021 në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, i biri i Ali-ut dhe Naxhije-s, dtl.21.01.1967, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë, akuzuar për kryerjen e veprës penale“Shpërdorimi i detyrës„ në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, me subjekt ushtarak-kuadër komandues, parashikuar nga neni 70/2 e 2 i Kodit Penal Ushtarak dhe 25 i Kodit Penal.

II. Vijimin e gjykimit nga e njëjta gjykatë.

Pasi gjykata pyeti mbrojtësit e zgjedhur të të pandehurit Fatmir Mediu nëse i qëndrojnë kërkesës për gjykim të shkurtuar, ata e rikonfirmuan qëndrimin e tyre.  

Në kushtet kur i pandehuri, nëpërmjet mbrojtësve të zgjedhur, i qëndron kërkesës për gjykim të shkurtuar të paraqitur në seancë paraprake, konform nenit 403, pika 1 të K.Pr.Penale, gjykata pasi vlerësoi aktet e hetimeve paraprake, në kuadër  të pavlefshmisë së akteve dhe  provave  të papërdorshme, në rasti konkret nuk konstatoi akte proceduriale të pavlefshme apo  prova të papërdorshme, duke iu referuar kushteve konkrete për pavlefshmërinë e akteve të rregulluara nga nenet 128-130 të K.Pr.Penale, të ndryshuara me ligjin nr.35/2017 si dhe kushteve për vlefshmërinë e provave, sipas nenit nenit 151 të K.Pr.Penale.

Vendim: Bazuar në nenin 405/6 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe Vendimin Unifkues numër 2 datë 29 Janar 2003, të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, në vlerësim të akteve të hetimeve paraprake, gjykata, vendos pranimin e kërkesës së të të pandehurit Fatmir Mediu për të proceduar në këtë gjykim me procedurën e gjykimit të posaçëm, atë të shkurtuar, pasi çmoi se procesi i të provuarit, në kuptim të fajësisë, pafajësisë, ndryshimit të cilësimit ligjor, konsiderohet i ezauruar pa pasur nevojë për marrjen e provave të reja, nuk ka shkaqe të pavlefshmërisë absolute, apo papërdorshmërisë së provave.

Në vendimmarrjen e saj, gjykata ka në vëmendje edhe standartin e vendosur nga Gjykata Kushtetuese, në vendimin numër  4, datë 10.02.2012, pasi në rastin konkret, nuk cënohet dhënia e drejtësisë. Gjykata Kushtetuese në Vendimin Nr.4, datë 10 Shkurt 2012, thekson se: “…ndonëse, gjatë gjykimit të zakonshëm, është kompetencë eskluzive e gjykatave të juridiksionit të zakonshëm të bëjnë ndryshimin e cilësimit juridik të veprës penale, në gjykimet e posaçme, siç konsiderohet dhe gjykimi i shkurtuar, kjo e drejtë duhet të ushtrohet në përputhje me veçoritë e këtij gjykimi e, në veçanti me faktin se për të proceduar me këtë lloj gjykimi, përveç kërkesës së të pandehurit kërkohet detyrimisht edhe vendimi/miratimi i gjyqtarit (shih paragrafin 18 të këtij vendimi). E thënë ndryshe, gjyqtari në momentin e marrjes së vendimit, në lidhje me pranimin ose jo të kërkesës për gjykim të shkurtuar të të pandehurit, duhet të udhëhiqet jo vetëm nga parimi i ekonomisë gjyqësore (shih paragrafin 19 të këtij vendimi), por duhet të vendosë, kryesisht, në përputhje me parimin e drejtësisë efektive. Kjo do të thotë që ai, ndër të tjera, duhet të marrë në konsideratë edhe cilësimin juridik të veprës penale të përcaktuar nga prokurori. Si pasojë, nëse ka dyshime mbi këtë cilësim, ky element mjafton që gjyqtari të rrëzojë kërkesën e të pandehurit për të proceduar me gjykim të posaçëm dhe të vazhdojë gjykimin me procedurën e zakonshme duke respektuar kështu të gjitha parimet e procesit të rregullt ligjor, si kontradiktoriteti, e drejta e mbrojtjes, etj.”

Për sa më sipër, duke pasur parasysh se gjykimi i shkurtuar, si gjykim i posaçëm, eviton fazën e hetimit gjyqësor dhe në thelb të tij ka pranimin e akteve të grumbulluara gjatë fazës së hetimit paraprak duke evituar marrjen e provave në seancë gjyqësore dhe debatin lidhur me to, me pranimin e kërkesës për të vazhduar me gjykim të shkurtuar, dosja e prokurorit kthehet në dosje gjyqësore dhe shërben si bazë në parashtrimin e konkluzioneve përfundimtare të palëve dhe dhënien e vendimit nga gjykata.

Konform nenit 332/dh, pika 1, gërma “c” të K.Pr.Penale, gjykata ftoi palët të paraqesin diskutimet përfundimtare dhe nga ana e prokurorëve të çështjes u kërkua kohë për të përgatitur konkluzionet me shkrim.

Seanca e ardhshem gjyqësore u caktua për tu zhvilluar në datë: 24.04.2023, ditë e hënë, ora 08.30. /Pamfleti

gerdeci gjkko mediu

Lini një Përgjigje