
Është zbardhur dokumenti që detyroi kryebashkiaken e Himarës, Blerina Bala të japë dorëheqjen...
Detaje të reja janë publikuar në lidhje me dorëheqjen e papritur të kryetares së komanduar të Bashkisë Himarë Blerina Bala.
Sipas një dokumenti të siguruar nga 'Pamfleti', Bala dy ditë më parë ka dhënë një urdhër për pezullimin e punimeve të subjekteve që janë pajisur me leje ndërtimi nga Bashkia Himarë në zonën turistike të kësaj bashkie për periudhën 03.06.2024 deri në 30.09.2024.
Në dokument thuhet gjithashtu se ky urdhër bëhet me qëllim sigurimin e një sezoni të qëndrueshëm, krijimin e një mjedisi miqësor për pushuesit vendas dhe të huaj, duke eliminiuar zhurmat dhe ndotjet që vijnë si rezultat i ndërtimeve.
Por mesa duket, dikujt nuk i ka pëlqyer kjo situatë ku urdhërohet pezullimi i punimeve dhe ka detyruar kryebashkiaken Bala të largohet duke e shpallur vendimin si dorëheqje.

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Himarës, Blerina Bala ka dhënë sot dorëheqjen.
"Për shkaqe personale që kërkojnë kohën dhe vëmendjen time të plotë, me keqardhje ju njoftoj pamundësinë time për të vazhduar detyrën e Kryetares së Bashkisë Himarë që mu besua dhe nga Këshilli Bashkiak Himarë. Me këtë letër, sot zyrtarisht paraqes dorëheqjen time të parevokueshme nga pozicioni i Kryetares së Bashkisë Himarë", mësohet të ketë thënë Bala.
Sjellim në vëmendje se më 29 Mars të 2024-ës, Këshilli Bashkiak i Himarës votoi mes tensionesh Blerina Balën si kryetaren e re të komanduar. Me 15 vota pro dhe 4 kundër, Këshilli vendosi që Blerina Bala të ushtrojë detyrat e kryebashkiakes deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Komandimi i Blerina Balës në krye të Bashkisë së Himarës erdhi pas dorëheqjes së Jorgo Goros, i cili u arrestua nga Prokuroria e Posaçme me akuzën e shpërdorimit të detyrës për tjetërsimin e 2 pronave. Ndërkohë Fredi Beleri, i cili në 14 Maj u zgjodh kryetar i Bashkisë vuan në burg dënimin me 2 vite heqje lirie për veprën penale të blerjes së votave.
Himara mbetet sërish pa drejtues, ndërsa sipas ligjit për funksionimin e pushtetit vendor, do të jetë Këshilli Bashkiak i Himarës që do të mblidhet për të votuar dhe komanduar një tjetër kryetar deri sa të mbahen zgjedhjet.
2 emrat e diskutuar për të marrë drejtimin janë Pervin Gjikuria dhe Arqile Bollano.
Lini një Përgjigje