TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Mars 2025, 14:12

Zbardhen detaje nga operacioni i SPAK, kontrolle në 5 banesa; sekuestrohen celularët e dy zyrtarëve në Prokurorinë e Tiranës

Shkruar nga Pamfleti

Zbardhen detaje nga operacioni i SPAK, kontrolle në 5 banesa; sekuestrohen

Zbardhen detaje nga operacioni i SPAK, ku u ndalua avokati Bardh Koçi, ndërsa ndaj tij GJKKO caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.

Ky operacion është bërë pas akuzave për ndërhyrje në një dosje që po hetohej nga Prokuroria e Tiranës.

Mësohet se përveç avokatit Koçi, SPAK ka lënë një grua në masën “detyrim paraqitje”. Ata akuzohen për veprat penale “ndikim të paligjshëm në sistemin e drejtësisë”.

Shtetësja me inicialet P.M akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve shëndetësore”. 

Ndërkohë janë urdhëruar 5 kontrolle banesash ku dy prej tyre i përkasin një punonjësi të OPGJ në Prokurorinë e Tiranës dhe një tjetër punonjësi i cili ushtron detyrën në laboratorin e policisë kriminale.

Ndërkohë, BKH ka sekuestruar telefonin e punonjësit të laboratorit të policisë dhe OPGJ Tiranë.

Njoftimi i SPAK:

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 27.08.2021, mbi bazën e akteve të dërguara nga Policia Gjyqësore ka regjistruar procedimin penal nr.229, për veprat penale “Ushtrim i ndikimit te paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike ” dhe “Shpërdorim të detyrës”, të parashikuara nga nenet 245/1 dhe 248 të  Kodit Penal.

Në vijim të hetimeve për këtë procedim penal, përmes aplikimit të metodave speciale të hetimit është dokumentuar kryerja e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi 4 i Kodit Penal, e kryer nga shtetasit P.M dhe B.K.
Shtetësja P.M., në kohën e kryerjes së veprës penale po gjykohej në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e akuzuar për veprën penale “Falsifikim i dokumenteve shëndetësore”, e parashikuar nga neni 188/1 i Kodit Penal.

Shtetasi B. K. me profesion avokat (i cili në kohën e kryerjes së veprave penale ishte  i punësuar  me detyrë  Auditues në Kontrollin e Lartë të Shtetit) ka kërkuar nga shtetasja P.M. shumën prej 4000 (katër mijë) eurosh dhe ka marrë prej saj në formën e përfitimit të parregullt shumën paraprake prej 1000 (një mijë) eurosh, me qëllim ushtrimin e ndikimit në vendimmarrjen e gjyqtarit, i cili po shqyrtonte çështjen në ngarkim të saj.

Pas kërkesës së paraqitur nga Prokuroria e Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, përmes vendimit nr.10, datë 27.02.2025, ka vendosur:

Caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale ndaj personit nën hetim B.K., i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal.

Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” ndaj personit nën hetim P.M., e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1, paragrafi 2 i Kodit Penal.

Gjithashtu në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal me qëllim kërkimin e provave janë ushtruar kontrolle në banesat e katër shtetasve, mes tyre edhe në atë të një eksperti kriminalistik dhe një oficeri të Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë.

Lini një Përgjigje