
Besimtarët myslimanë në mbarë botën nisin sot, më 1 mars, muajin e shenjtë të Ramazanit, periudhën më të rëndësishme të vitit për ta, të cilën e kalojnë në përkushtim, lutje dhe bamirësi.
Gjatë këtij muajit të bekuar, besimtarët myslimanë mbajnë agjërim, një nga shtyllat dhe detyrat madhore të besimit Islam. Sot koha e syfyrit për vendin tonë përkoi në orën 04:39, ndërsa iftari në orën 17:37. Dita e fundit e Ramazanit është më 29 mars, ndërsa Fitër Bajrami festohet më 30 mars.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, uroi të gjithë besimtarët, duke e cilësuar Ramazanin si një muaj të bekuar, një mundësi për të rritur përkushtimin shpirtëror dhe për të forcuar ndjenjën e solidaritetit.
“Ky muaj na fton të ndalemi dhe të reflektojmë mbi mirësitë e panumërta që Zoti na ka dhuruar. Është një mundësi e artë për të shprehur falënderim ndaj Tij, për të kultivuar durimin, për të rivitalizuar lidhjen tonë me Kuranin Famëlartë dhe për të rrezatuar dashuri ndaj të tjerëve. Ramazani është gjithashtu muaji i solidaritetit dhe i vëllazërisë. Ai na kujton përgjegjësinë tonë ndaj atyre që kanë nevojë për ndihmën tonë dhe na fton të tregojmë bujari, dhembshuri dhe kujdes për më të dobëtit.
Në këtë muaj të shenjtë, le të forcojmë jo vetëm lidhjet tona me familjen dhe të afërmit, por edhe me shoqërinë në tërësi, duke e bërë komunitetin tonë më të ndjeshëm dhe më të bashkuar”, u shpreh Spahiu.
Lini një Përgjigje