
Temat e diskutuara përfshinin sigurinë, programet rehabilituese, teknologjinë informative dhe menaxhimin modern të institucioneve korrektuese...
Pas reformës në drejtësi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kthyer sytë nga sistemi i burgjeve në vendin tonë.
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose ka zhvilluar një vizitë në Uashington, ku ka pasur një sërë takimesh të rëndësishme. Ai ka takuar kreun e ICITAP, si dhe drejtorin e Divizionit të Inteligjencës dhe Hetimeve në Departamentin e Sigurisë Publike dhe Shërbimeve Korrektuese të Maryland-it.

“Pata kënaqësinë dhe privilegjin të vizitoj Washington D.C., ku zhvilluam disa takime me rëndësi të veçantë për të ardhmen e sistemit të burgjeve në Shqipëri. Drejtori i ICITAP-it, Gregory Ducot, na priti në një takim shumë produktiv, ku bashkë me William Sage diskutuam arritjet dhe sfidat e programit që po zbatohet në sistemin tonë. U përqendruam te projektet e reja që synojnë të përmirësojnë sigurinë, rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve. Gjatë kësaj vizite, bashkë me Drejtorin e Inteligjencës Korrektuese në DPB, Edlir Ajazi, patëm nderin të takohemi me Errol Etting, Drejtor Ekzekutiv i Divizionit të Inteligjencës dhe Hetimeve në Departamentin e Sigurisë Publike dhe Shërbimeve Korrektuese të Maryland-it. Ky takim ishte një mundësi për të shkëmbyer përvoja dhe për të diskutuar qasje të reja në fushën e inteligjencës korrektuese”, shkruan Qose në rrjetet sociale.

Vizita ishte pjesë e një programi studimor të organizuar nga ICITAP, që përfshinte edhe pjesëmarrjen në Konferencën Dimërore të Shoqatës Korrektuese Amerikane në Orlando, Florida. Sipas tij, ky program, i financuar nga ICITAP, është një shembull i shkëlqyer i mbështetjes së Departamentit të Drejtësisë dhe Departamentit të Shtetit të SHBA për sistemin shqiptar të burgjeve.
“Temat e diskutuara përfshinin sigurinë, programet rehabilituese, teknologjinë informative dhe menaxhimin modern të institucioneve korrektuese. Këto përvoja dhe ide do të na ndihmojnë për të ndërtuar një sistem më efikas dhe njerëzor”, vijoi Qose.


Lini një Përgjigje