TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Janar 2025, 15:25

Prag "21 Janari", vidhet pllaka përkujtimore në nder të Hekuran Dedës

Shkruar nga Pamfleti

Prag "21 Janari", vidhet pllaka përkujtimore në nder të

Teksa na ndajnë dhe 1 javë nga përkujtimi i ngjarjes tragjike të 21 Janarit, ku u vranë 4 protestues në bulevard, pllaka përkujtimore e të ndjerit Hekuran Deda është vjedhur.

Është gazetari Artan Hoxha ai i cili ka publikuar fotot, duke treguar se pllaka prej bronzi nuk është më. Në Bulevard, u vendosën 4 pllaka bronzi në nder të 4 viktimave, por si duket dikush e ka marrë njërën prej tyre.

Postimi i plotë

Dale se nuk keni parë gjë akoma….

E paskan vjedhur Hekuranin (Deda), në mes të bulevardit dhe para syve të gardistëve që ruajnë kryeministrin.

Në fakt kishin vjedhur dhe Faikun (Myrto), nga trotuari tjetër i bulevardit, përballë kryeministrisë. Por Faikun, punonjësit e bashkisë, e kanë zëvendësuar në kohë edhe pse jo në të njëjtat përmasa, që ka patur pllakati përkujtimor fillestar.

Në fakt bëhet fjalë për pllakatet përkujtimore në nderim të 4 protestuesve “Dëshmorë të Atdheut”, të pushkatuar pa gjyq nga armët e shtetit gjatë protestës së 21 janarit 2011.

Për ironi të fatit, në historinë gati njëqindvjeçare të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, protestuesit Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrto dhe Aleks Nika, janë të vetmit Dëshmorët në atë bulevard.

Në kujtim të 4 “Dëshmorëve”, u vendosen kater pllaka përkujtimore prej bronzi, në vendet ku ata mbetën të vrarë.

Për pak ditë mbushen plotë 14 vite nga protesta më e përgjakshme në Shqipëri, por ende drejtësia Shqiptare nuk ka dhënë drejtësi.

Autorët, urdhëruesit, organizatorët dhe ata që prishën provat apo penguan hetimet, vazhdojnë të jenë të pandëshkuar.

Ndërsa përfituesi direkt i asaj masakre, njeriu që erdhi në pushtet me premtimin se do të bënte drejtësi me çdo kusht dhe me çdo çmim, vazhdon të jetë në pushtet për tre mandate me radhë, për 12 vite rresht, por pa e mbajtur kurrë premtimin e tij.

Sot kalova në bulevard me idenë, nëse përfituesit e 21 janarit 2011, janë kujtuar se po afrohet data e ceremonisë përkujtimore të radhës dhe çfarë po përgatisin për tu justifikuar para familjarëve të viktimave.

Në fakt nuk u zhgënjeva.

Kishin filluar të bënin gati vendin ku kryeministri do të ulet serish në gjunjë dhe do të vendos karafila të kuq.

Sa herë kaloj në bulevard, bëj kujdes të mos i shkel pllakat përkujtimore prej bronzi, të cilat nuk kanë emër. Herë pas here i shikoj nëse ka ndodhur gjë me to.

Në fakt para disa vitesh, kur bashkia ndërtoi korsitë e biçikletave, pllakat e bronzit të 4 “Dëshmorëve”” të Atdheut”, u shkurtuan dhe u prenë për të mos i prishur estetikën projektit inovator të bashkisë.

Sot në mesditë, kur punëtorët e bashkisë ishin duke e pastruar vendin, ku do të bëhet ceremonia e radhës, konstatuan se pllakati përkujtimor prej bronzi në vendin ku u vra Hekuran Deda ishte vjedhur.

Duket e pabesueshme, që në bulevardin kryesor të vendit, i mbuluar në çdo cep të tij nga kamerat, mu përballë derës kryesore të kryeministrisë, ku vigjilon çdo ditë Garda e Republikës, ishte vjedhur pllakati përkujtimor.

Për punonjësit e bashkisë kjo nuk përbënte ndonjë lajm të veçantë, pasi më thanë se pllakatet e bronzit ishin grabitur dhe herë tjetër, por ata i kishin zëvendësuar.

Nuk e di nëse këtë radhë, ata do t’ia dalin në kohë të ribëjnë pllakatin e Hekuran Dedës. Urdhëroi ishte i prerë. Kur kryeministri të paraqitet paraditen e 21 janarit 2025, për tu ulur në gjunjë, pllakati përkujtimor duhet të ndodhet aty i bërë xixë.

Ndërsa ne presim, që ky kryeministër dhe kjo qeveri, si përfituesja direkt e 21 janarit 2011, të mbaj premtimin për të ndëshkuar autoret e vrasjeve të 4 “Dëshmorëve të Atdheut”, asaj i vjedhin për skrap dhe 4 pllakatet përkujtimore në mes të bulevardit….

Lini një Përgjigje