TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Dhjetor 2024, 11:47

Vrasja e Martin Canit, babai merret në pyetje nga policia: Gruaja më lajmëroi që djali është plagosur

Shkruar nga Pamfleti
Vrasja e Martin Canit, babai merret në pyetje nga policia: Gruaja më
Engjëll Cani

Engjëll Cani, babai i Martin Canit që u vra pranë Shkollës “Fan Noli” në Tiranë është pyetur këtë të mërkurë për herë të parë rreth ngjarjes.

Deklarimet ai i ka dhënë në Drejtorinë Vendore të Policisë së Tiranës, për llogari të hetimeve që drejtohen nga Prokuroria e Kryeqytetit, teksa shprehet se nuk është vënë në dijeni nga shkolla apo instancat e tjera rreth një konflikti që ka patur 4 ditë para ngjarjes i biri me autorin e dyshuar të vrasjes Mario Përlleshaj.

Ai është pyetur nga Oficerët e Policisë Gjyqësore edhe nëse familja e autorit të dyshuar i ka kontaktuar apo takuar pas ngjarjes, teksa Engjëlli thotë se deri më sot nuk ka ndodhur diçka e tillë.

Babai i të ndjerit pretendoi se bashkëshortja e tij ka marrë vetëm një telefonatë nga shkolla për çfarë kishte ndodhur, dhe pavarësisht tentativave për t’u lidhur me stafin e shkollës, nuk iu është ngritur telefoni.

Engjëll Cani thotë se atë çfarë ka ndodhur e ka mësuar pasi ka mbërritur në spital.

Babait të të miturit të vrarë, i janë kthyer këtë të mërkurë sendet e Martinit, çanta e shkollës me libra, e cila u sekuestrua në vendin e ngjarjes nga oficerët e policisë.

Mario Përlleshi ndodhet në masën “Arrest në burg”, në pritje të vendimit të Apelit me Juridiksion të Përgjithshëm, Tiranë pasi e ka kundërshtuar vendimin e Shkallës së Parë me pretendimin se ngjarjen e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes.

Martin Cani mbeti viktimë e një sherri mes të miturish pas përfundimit të shkollës.

Ai u godit me thikë gjatë përleshjes nga bashkëmoshatari i tij, ndërsa shoku i tij po 14 vjeç mbeti i plagosur dhe tashmë është dërguar për trajtim të specializuar në Itali, ndihmuar nga shqiptarët që mblodhën mbi 80 mijë euro për kurimin.

Autori i dyshuar, i cili gjatë sherrit u vetëplagos me thikë në parakrah ndodhet në institutin e të miturve në Kavajë, në masën “Arrest në burg”, të cilën e ka animuar në Apel me pretendimin se vrasja ndodhi për vetëmbrojtje.

Ngjarja në derë të shkollës ngjalli reagime të shumta për sigurinë e fëmijëve, ndërsa prindërit në disa protesta kërkuan dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirilu.

Në Shqipëri, qeveria ka nisur konsultimet publike, për të kufizuar ose ndaluar rrjetet sociale kryesisht Tik-Tok dhe SnapChat për të miturit, ndërsa një paketë sigurie me kamera në çdo klasë dhe detektor në hyrje të çdo shkolle për pajisjet metalike, celularë, thika e armë, pritet të implementohet së shpejti në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe.

 

babai i martin canit

Lini një Përgjigje