Vlora është përballur sërish me probleme në furnizimin me ujë të pijshëm, pasi një avari e rëndë në rrjetin kryesor ka sjellë ndërprerjen e furnizimit në qytet.
Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njoftoi se defekti ka ndodhur në tubacionin 500 pranë zonës “Miramare”, duke detyruar stakimin e të gjitha stacioneve të ujësjellësit.
Sipas njoftimit zyrtar, grupet e Degës Teknike janë angazhuar në terren dhe do të punojnë gjatë gjithë natës për riparimin e avarisë në kohën më të shpejtë të mundshme.
“Për shkak të një avarie të rëndë në tubacionin 500 të furnizimit me ujë pranë zonës ‘Miramare’, janë stakuar të gjitha stacionet e ujësjellësit”, thuhet në njoftimin e UK Vlorë.
Ndërmarrja theksoi se ndërhyrja synon shmangien e problematikave të mëtejshme në furnizimin me ujë për qytetarët dhe bizneset.
Kjo nuk është hera e parë që Vlora përballet me situata të tilla. Edhe në muajin dhjetor qyteti mbeti për disa ditë pa ujë të pijshëm, ndërprerje që preku mijëra familje dhe biznese, duke krijuar një situatë emergjente.
Asokohe pati reagime dhe protesta nga banorët, ndërsa autoritetet u detyruan të siguronin pjesën e nevojshme për riparimin e defektit nga Turqia, për shkak të mungesës së saj në tregun vendas.
Lini një Përgjigje