Shkencëtarët e klimës kanë ngritur alarmin për mundësinë e formimit të një “super El Niño”, një fenomen klimatik shumë i fuqishëm që mund të sjellë temperatura rekord, përmbytje masive dhe anomali të tjera atmosferike në nivel global. Sipas parashikimeve, probabiliteti për zhvillimin e fenomenit deri në muajin qershor arrin në 70%.
El Niño dhe fenomeni i kundërt i tij, La Niña, janë cikle të rëndësishme klimatike që përsëriten çdo 2 deri në 7 vjet dhe ndikojnë drejtpërdrejt në klimën globale. El Niño karakterizohet nga ngrohja e ujërave në Paqësorin ekuatorial, çka ndryshon qarkullimin atmosferik dhe shpërndarjen e nxehtësisë në planet.
Në të kundërt, La Niña zakonisht zbut efektet e El Niño. Ndërsa faza neutrale ndodh kur këto procese mbeten në ekuilibër. Kalimi nga një fazë në tjetrën ndodh zakonisht gjatë pranverës, ndërsa kulmi i fenomenit regjistrohet në fund të vitit ose në fillim të vitit pasues.
Ekspertët theksojnë se edhe ndryshime relativisht të vogla të temperaturës së oqeanit, nga 1 deri në 3 gradë Celsius, mund të ndikojnë ndjeshëm në reshje, temperatura ekstreme dhe aktivitetin e uraganeve.
Sipas klimatologëve amerikanë, Toka po kalon gradualisht nga faza La Niña drejt një gjendjeje neutrale, por ekzistojnë shenja të qarta për zhvillimin e shpejtë të El Niño. Meteorologët paralajmërojnë se kjo mund të çojë në fenomene të paprecedenta të motit. Probabiliteti që El Niño të formohet deri në fund të vitit vlerësohet në 94%.
Megjithëse intensiteti i saktë i episodit të ardhshëm nuk është ende i konfirmuar, temperaturat aktuale të oqeanit tregojnë një skenar të fortë. Edhe meteorologët britanikë paralajmërojnë për mundësinë e një El Niño shumë të fuqishëm, potencialisht më i forti i shekullit XXI.
Disa modele klimatike e krahasojnë potencialin e tij me fenomenin shkatërrues të vitit 1877, i cili u shoqërua me uri masive dhe miliona viktima në disa pjesë të botës. Megjithatë, ekspertët sqarojnë se pasojat varen nga shumë faktorë dhe rajonet më të prekura ende nuk janë përcaktuar me saktësi.
Aktualisht, sasia e pazakontë e ujërave të ngrohta nën sipërfaqen e Paqësorit konsiderohet ndër më të mëdhatë e regjistruara ndonjëherë, një faktor kyç për zhvillimin e El Niño.
Fenomeni zakonisht sjell temperatura më të larta në rajone si Australia, Afrika, India dhe Amerika e Jugut, ndërsa rrit rrezikun e reshjeve intensive dhe përmbytjeve në jugun e Shteteve të Bashkuara, Lindjen e Mesme dhe Azinë Juglindore.
El Niño zakonisht ul aktivitetin e uraganeve në Atlantik, por rrit gjasat për stuhi të fuqishme në Oqeanin Paqësor.
Lini një Përgjigje