TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet11 Maj 2026, 17:59

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 18:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 18:00

Ju ftojme te ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore deri ne kete ore te dites, ku nder te tjera vecojme:

AKSHI 2 krijohet për tenderët me AI, Rama: Shqipëria mbi mesataren e BE-së

Qeveria ka njoftuar krijimin e një strukture të re digjitale, të quajtur “Albanian Digital Solutions”, e konceptuar si një lloj AKSHI 2, që do të merret me zhvillimin e teknologjisë dhe proceset e prokurimit publik përmes inteligjencës artificiale. Kryeministri Edi Rama e prezantoi nismën në kuadër të Kapitullit 5 të negociatave me BE-në, duke deklaruar se Shqipëria renditet mbi mesataren europiane në disa indikatorë të prokurimeve publike dhe është në një fazë të avancuar integrimi.

Berisha sulmon Ramën për integrimin dhe ambasadorin Gonzato

Kreu i PD-së Sali Berisha ka vijuar kritikat ndaj qeverisë, duke akuzuar Edi Ramën se ka “privatizuar procesin e integrimit europian” dhe duke mos u tërhequr nga deklaratat për ambasadorin e BE-së Silvio Gonzato. Ai tha se opozita do të vazhdojë protestat, por kërkoi organizim më të mirë dhe e cilësoi integrimin si proces të deformuar nga qeveria.

GJKKO rrëzon kërkesën e Metës për liri, SPAK paraqet prova

Në Gjykatën e Posaçme, prokurori i SPAK ka paraqitur prova në procesin ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, duke i lidhur me çështjen CEZ-DIA dhe lobimet në SHBA. Gjykata rrëzoi kërkesën për zbutje mase, ndërsa mbështetës të tyre ishin të pranishëm në sallë gjatë seancës.

Dëshmi të reja në gjyqin “Partizani”

Në procesin për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ish-drejtues të klubit dhanë dëshmi mbi gjendjen e pronës dhe procedurat e privatizimit. Ish-presidenti Albert Xhani deklaroi se ishte paralajmëruar nga zyrtarë të mos vijonte me çështjen e pronave, duke sjellë detaje të reja mbi procesin.

SPAK njofton KQZ për dënimin e kryebashkiakut të Kuçovës

SPAK i ka dërguar shkresë KQZ-së duke konfirmuar dënimin e formës së prerë ndaj kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, i dënuar me 6 muaj burg për falsifikim dokumentesh.

Dhuna në Lezhë ndaj ish-kreut të PD-së në Dajç

Policia ka sekuestruar pamjet filmike pas dhunës ndaj Sokol Toma në Lezhë. Hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve, ndërsa ngjarja po hetohet si sulm me sende të forta me dyshime për përfshirje të mundshme të personave të njohur lokalë.

TikTok dhe trafiku i emigrantëve drejt Britanisë

Një investigim ka zbuluar llogari në TikTok që reklamojnë kalime ilegale drejt Britanisë me gomone, pavarësisht masave të autoriteteve. Rrjetet kriminale dyshohet se përdorin çmime të ulëta ose mashtrime për të rekrutuar emigrantë.

Kosovë: Osmani dhe Kurti në përplasje politike

Vjosa Osmani ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për tentativë “eliminimi politik”, ndërsa LDK ka shpallur listën për zgjedhjet e 7 qershorit, me Osmanin në krye dhe Lumir Abdixhikun kandidat për kryeministër.

Irani dhe SHBA në tension për negociatat

Irani e ka quajtur “ofertë bujare” propozimin për armëpushim dhe hapje të Ngushticës së Hormuzit, ndërsa Donald Trump e ka refuzuar si “krejtësisht të papranueshme”. Palët mbeten në qëndrime të kundërta për sanksionet dhe marrëveshjen bërthamore.

Barcelona shpallet kampione e Spanjës

Barcelona ka fituar La Liga-n pas fitores 2–0 ndaj Real Madridit në “El Clásico”, duke siguruar titullin e 29-të. Fitorja u festua edhe nga figura si Luis Enrique, i cili reagoi emocionalisht ndaj suksesit të ish-klubit të tij.

edicioni informativ

Lini një Përgjigje