Autoritetet greke po hetojnë origjinën e mjetit të mbushur me eksploziv, ndërsa në fokus janë porti i Vlorës dhe ai i Misratës në Libi…
Televizioni grek STAR ka ngritur pikëpyetje serioze mbi origjinën e dronit detar të tipit ukrainas që u zbulua pranë Lefkadës, në Greqi, i mbushur me eksploziv dhe i aftë të shkaktonte dëme të mëdha në objektiva detare.
Sipas raportimit të gazetarit Giannis Sotiropoulos për STAR, autoritetet greke të sigurisë po shqyrtojnë skenarë të ndryshëm mbi mënyrën se si mjeti detar pa pilot përfundoi në zonë, ndërsa dyshimet janë përqendruar në dy porte: atë të Vlorës në Shqipëri dhe portin e Misratës në Libinë perëndimore.
Pamje satelitore të siguruara nga televizioni grek tregojnë lëvizjen e një konvoji rus në Mesdhe gjatë ditëve të fundit. Në imazhe janë regjistruar pozicionet e anijeve si në jug të Kretës ashtu edhe pranë Maltës.
Sipas mediave ndërkombëtare dhe analistëve të sigurisë, objektivi i mundshëm i dronit mund të kenë qenë pikërisht këto anije ruse, ndërsa mjeti u zbulua rastësisht nga peshkatarë në Lefkadë.
Bëhet fjalë për tre cisterna ruse të shoqëruara nga fregata “Kasatonov”, të cilat kishin destinacion portin sirian të Tartusit.
Eksperti i sistemeve të mjeteve detare pa pilot, Vangelis Xanthakis, deklaroi për STAR se bëhet fjalë për një “silur të telekomanduar sipërfaqësor”.
“Këto mjete lëvizin në ujëra ndërkombëtare dhe patrullojnë zonat ku pritet të kalojnë anije ruse, për t’i goditur më pas”, tha ai.
Sipas STAR, droni detar transportonte rreth 100 kilogramë eksploziv, sasi që sipas specialistëve mund të “ndajë më dysh edhe një anije të madhe”. Mjeti është identifikuar si model ushtarak ukrainas “MAGURA V5”.
Në raportim thuhet se porti i Vlorës në Shqipëri dhe ai i Misratës në Libi janë futur tashmë “nën mikroskopin” e autoriteteve greke. Për Misratën, televizioni grek përmend gjithashtu raportime të mëparshme sipas të cilave Ukraina mban prani ushtarake në zonë, me më shumë se 200 oficerë dhe specialistë dronësh.
Ndërkohë, hetimet paraprake vijojnë nga Roja Bregdetare greke dhe prokuroria lokale për të zbardhur rrethanat e zbulimit të dronit. Edhe pak ditë më parë mediat greke hodhën dyshime se dorni mund të jetë nisur nga baza e Pashalimanit.
Lini një Përgjigje