TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet25 Korrik 2024, 17:27

Vettingu, shkarkohet gjyqtari Besnik Hoxha

Shkruar nga Pamfleti

Vettingu, shkarkohet gjyqtari Besnik Hoxha

Shkarkohet nga detyra gjyqtari Bensik Hoxha. Me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, gjyqtari i Tiranës, është përjashtuar nga drejtësia.

KPK e kofirmoi atë në detyrë, por Komisioneri Publik e ankimoi vendimin. Fillimisht vendimi i KPK-së  u kundërshtua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe më pas u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili pretendon se vendimi i KPK-së është i cënueshëm në të tri kriteret e rivlerësimit.

Ballhysa deklaroi të hënën se u qëndronte shkaqeve të ankimit dhe parashtrimeve të seancës së kaluar. Sipas tij, Hoxha ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë.

Për një godinë banimi me tre kate në Shkodër, Komisioneri theksoi se nuk qëndronte zbatimi proporcionalitetit i zbatuar nga KPK. Sipas tij, ka mospërputhje për kohën e ndërtimit dhe se subjekti rezulton me bilanc negativ për mbulimin e kostove të ndërtimit. Ballhysa vërejti se edhe sipas deklarimeve të subjektit në deklaratën “veting”, sërish bilanci negativ mbetet në shumën 3.2 milionë lekë.

Romina Zano, avokatja e Hoxhës këmbënguli se nuk qëndronin shkaqet e ngritura në ankim për këtë shtëpi. Ajo tha se Hoxha e ka deklaruar saktësisht në deklaratën “veting” këtë pronë dhe nënvizoi se vlera e përllogaritur nga KPK, sipas referencave të Entit Kombëtar të Banesave ka rezultuar e përafërt me atë të shënuar nga subjekti. Sipas Zanos, edhe nga fotot e marra Google Earth, duket se investimet janë kryer sipas deklarimeve të subjektit.

Ajo vërejti se Komisioneri nuk evidenton se ku janë deklarimet e pasakta për këtë pasuri, si dhe nuk sqaron se pse është pamundësia financiare joproporcionale. Zano tha se gjyqtari Hoxha rezulton me bilanc pozitiv.

Në vijim, Ballhysa parashtroi konkluzionet për një apartament në Tiranë, deklaruar si adresë vendbanimi nga subjekti. Sipas Komisionerit, duket se Hoxha është i vetmi posedues dhe përdorues i kësaj pasurie, edhe pse janë ndryshuar porositësit. Sipas Komisionerit, ka dyshime se Hoxha ka dashur ta fshehi këtë pasuri nga kontrolli.

Po ashtu, u konstatua se nuk është provuar mundësia e një huadhënësi për t'i dhënë subjektit vlerën 107 mijë euro në vitin 2011. Ballhysa pretendoi se për këtë pasuri, Hoxha më së paku, është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë.

Avokatja Zano solli në vëmendje se KPK ka konkluduar se subjekti nuk e ka përdorur këtë pasuri përpara vitit 2016, kur është nënshkruar një marrëveshje qiraje e dyfishtë. Ajo theksoi se ky apartament nuk ishte ndërtuar ende në vitet 2010-2011, gjë që vërtetohet nga fotot e Google Earth.

Zano shpjegoi se ishte e vërtetë se subjekti kishte porositur një apartament në vitin 2011, por ngaqë nuk kishte arritur të shitste shtëpinë në Shkodër, e kishte revokuar kontratën. Ajo shtoi se të tre subjektet që e kanë porositur apartamentin në fjalë kanë pasur burime financiare të mjaftueshme. Sipas Zanos, nuk ka ndonjë provë që të vërtetojë se Hoxha është përpjekur për të kryer deklarim të pasaktë për këtë apartament.

Ballhysa vlerëson se Hoxha ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe për shpenzimet e udhëtimeve, por Zano tha se nuk qëndronte as ky shkak ankimi, pasi shumat e shpenzuara nuk e kapin vlerën që ka qenë detyrim për t'u deklaruar, prandaj dhe nuk janë pasqyruar në deklaratat përkatëse.

Lini një Përgjigje