
Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën për të pezulluar masat shtrënguese ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.
Këshilltari Ligjor dhe për çështje Zgjedhore, Ivi Kaso e ka cilësuar si antikushtetuese vendimin e gjykatës për ish-kryeministrin Berisha.
Ai tha se ka zhbërë nenin 134 pika c të Kushtetutës.
“Vendimi i Kushtetues i gabuar dhe antikushtetues. Çështja në të kundërt të asaj që është trumbetuar se është personale e Berishës, nuk ishte fare kjo. Jam i shqetësuar pasi Gjykata Kushtetuese duke pasur parasysh presionin, ka zhbërë nenin 134 pika c. Kur mundet kjo të zbatohet. E drejta e 1/5 për të çuar çfarëdo çështje përpara Gjykatës Kushtetuese. Duhet ta sjellë Kuvendi thotë Gjykata Kushtetuese. Kjo që ka ndodhur sot shumë e rëndë.
Në rastin e Saimir Tahirit Kuvendi ka ushtruar një kompetencë, ka nxjerrë një vendim. Ngrihet SPAK dhe GJKKO dhe thotë e ushtroj vetë, nuk ka nevojë ta ushtrojë Kuvendi. Na dalin organet e reja të drejtësisë dhe e interpretojnë ndryshe. Nga pikëpamja e kushtetutës ishte kjo kërkesa e opozitës, për të mbrojtur interesin më të lartë”, tha Kaso për “Abcnews”.
Kaso theksoi se tashmë opozita nuk ka më asnjë instrument dhe se me vendimin e sot Gjykata Kushtetuese i mbylli derën opozitës.
“Ka krijuar një precedent të ri të ndryshëm nga 20-30 vitet e fundit. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese institucionalizojnë një lloj tjetër autoriteti kushtetues që ka të drejtë të pakushtëzuar dhe i mbyllet dera opozitës. Opozita dy instrumente kishte dhe tani nuk ka asnjë. Gjykata Kushtetuese e mbylli sot derën për opozitën. Nga sot e tutje nëse vendoset ky standard, opozitës apo deputetëve i mbyllet dera. Për Komisionet Hetimore e bëri zero shansin”, u shpreh Kaso.
Lini një Përgjigje