
Mbrëmjen e sotme janë dorëzuar në Kuvend raportet e përpiluara nga anëtarët e Këshillit të Mandateve për kërkesën e SPAK që kërkon ti hapet rrugë arrestimit të Sali Berishës.
Përveç raportit të përgatitur nga mazhoranca edhe përfaqësues i vetëm i opozitës në Këshillin e Mandateve, Enkeljed Alibeaj ka dalë me një raport më vete.
Në raport thuhet se është verifikuar ekzistenca e një procedimi penal të ligjshëm ndaj Berishës dhe së dyti është verifikuar ekzistenca e kushteve ligjore për arrestin dhe kontrollin Berishës.
Gjithashtu në të thuhet se ndaj deputetit Sali Berisha ekziston dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohet dhe për këtë arsye i kërkon Kuvendit t’i hapë rrugë heqjes së imunitetit të Berishës.
“Përfundimisht, si anëtar i Këshillit për Imunitetin, i rekomandoj seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojë, për miratimin kërkesës për dhënien e autorizimit, të kërkuar me shkresën nr. 16688 prot., datë 12.12.2023 të SPAK “Për dhënien e autorizimit për arrestimin/heqjen e lirisë, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”, thuhet në raportin e dorëzuar nga Enkelejd Alibeaj.
Sipas Alibeajt për Kuvendin është i rëndësishëm fakti që shkelja e detyrimeve ndaj drejtësisë nga ana e Berishës është e provuar.
“Në këto kushte rezulton e provuar fakti se personi nën hetim nuk ka zbatuar detyrimet që rëndonin mbi të, caktuar me vendim gjykate, në mënyrë të përsëritur. KPP, në nenin 231/1 dhe 260/3, ia lë në diskrecion prokurorisë si mundësi të kërkojë ose jo një “masë tjetër më të rëndë” sesa të mëparshmet. Mesa duket qartazi prokuroria ka zgjedhur opsionin që në mungesë të respektimit të masave të mëparshme të kërkojë një masë tjetër më të rëndë. Në këtë pikë përsëri, Kuvendi nuk ka të drejtë të vlerësojë nëse është e vlerësuar drejt apo jo kjo nevojë-mundësi, kjo zgjedhje e prokurorisë. Edhe ky kriter bie nën suazën kontrolluese të juridiksionit gjyqësor. Nëse do ndodhë që Kuvendi do japë autorizimin, do të jetë gjykata ajo që do të vlerësojë nëse ka vend apo jo për një masë më të rëndë bazuar në proporcionalitetin shkelje – rëndim mase. Për Kuvendin është i rëndësishëm fakti, që premisa bazë, ajo e shkeljes së detyrimeve të mëparshme është e provuar. Nëse gjykata do ta gjejë me vend kërkesën, është kompetencë e saj, porse Kuvendi, duhet të mos ndërhyjë në këtë kompetencë gjyqësore me mosdhënien e autorizimit të kërkuar”, thuhet mes të tjerash në raportin e Alibeajt.
Ndërkohë nesër, më datë 21.12.2023 do të zhvillohet seanca e radhës plenare, ndërsa pika e parë në rendin e ditës është heqja e imunitetit të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Lini një Përgjigje