
Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur të anulojë fizikisht mbledhjen e planifikuar për sot, duke qenë se opozita ka paralajmëruar protestë. Pak më parë kryesia e Këshillit njoftoi se ata do të mblidhen online.
Dhjetëra mbështetës të opozitës ndërkohë janë tubuar para Bashkisë, por Këshilli duket se ka kryer një manovër në minutat e fundit.
“Të nderuar anëtarë të Këshillit Bashkiak. Kryesia e këshillit Bashkiak zhvilloi online mbledhjen sot datë 30 prill 2024, ora 15:00, me shumicën e anëtarëve prezent", thuhet në njoftim.
Gjithashtu kujtojmë se policia e shtetit dha lejen për protestën e kërkuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Por pjesë e protestës janë edhe grupi i Rithemelimit dhe Partia e Lirisë.
Dhe ndërkohë që protesta ka nisur, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ndodhet që prej orës 09:00 të mëngjesit në ambientet e Prokurorisë së Posaçme për t’u pyetur për dosjen e inceneratorit të Tiranës.
Ndërkohë këshilltari për Çështjet Ekonomike në PD Dorian Teliti, theksoi se mbajtja e mbledhjes online nga këshilltarët bashkiakë është e palejueshme. Sipas tij, fjalën e lirë dhe shpirtin opozitar nuk e ndal askush.
"Anulimi i mbledhjes të Këshillit Bashkiak është e palejueshme. Fjalën e lirë dhe shpirtin opozitar nuk e ndal askush.Veliaj dhe kur nuk ndodhet në zyrë, por në SPAK, jep urdhra që mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës të zhvillohet online. Ky është shembulli më i keq i qeverisjes, kundër interesave të popullit”, tha ai.
Lini një Përgjigje