
Spitali “Mbretëresha Geraldinë” ka reaguar lidhur me vdekjen e foshnjës 9 ditëshe pak ditë më parë. Prindërit e saj paditën krerët e QSUT dhe të maternitetit, ndërsa spitali në një deklaratë për mediat shprehet se pas lindjes u konstatua se foshnja kishte probleme kardiake. Po ashtu thuhet se nëna nuk e ka ndjekur aty ecurinë e shtatzënisë.
Njoftimi i plotë:
Sqarim i ekipit të Shërbimit të Obstetrikës dhe Klinikës së Reanimacionit neonatal pranë SUOGJ” Mbretëresha Geraldinë“
Nisur nga shkrimet e publikuara nga disa media, për humbjen e jetës së foshnjës (9 ditëshe) me inicialet B.D., në QSUT, pas një ndërhyrje kirurgjikale në zemër, për shkak të një anomalie kardiake të lindur, ekipi i mjekëve pranë SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, duke i shprehur edhe një herë ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e jetës së fëmijës së tyre, sqaron opinionin publik, si vijon:
Pacientja me inicialet K.D., ka sjellë në jetë foshnjën e saj në datën 13.08.23 pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, në kujdesin maksimal të stafit mjekësor dhe infermieror. Sqarojmë se nëna nuk e ka ndjekur shtatzëninë pranë maternitetit tonë. Menjëherë pas lindjes, mjekët neonatologë kanë dyshuar dhe diagnostikuar foshnjën për anomali kardiake të lindur, diagnozë e cila është konfirmuar nga mjekët kardiopediatër të QSUT një ditë pas lindjes. Është ndjekur me rigorozitet protokolli i referimit dhe transferimit të foshnjës pranë QSUT për trajtimin e mëtejshëm, si e vetmja Qendër Kombëtare për trajtimin e anomalive kardiake në Shqipëri.
Ekipi i mjekëve pranë maternitetit “Mbretëresha Geraldinë“ siguron qytetarët se ka qenë dhe është plotësisht i angazhuar për të garantuar shërbimin mjekësor me profesionalizëm maksimal për çdo grua dhe foshnje që vjen në jetë në këtë maternitet, i cili pret mbi 6000 lindje në vit.
Reanimacioni neonatal i jep shërbim më shumë se 2000 fëmijëve ne vit që vijnë në jetë në spitalin tonë por edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë, si një prej qendrave referente të reanimacionit neonatal në vend.
Lini një Përgjigje