
Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu ka prezantuar sot në Kuvend raportin e punës për vitin 2022. Duke folur në Komisionin e Ekonomisë, ai tregoi se gjatë vitit që lamë pas, KLSH ka zbuluar afro 200 miliardë lekë dëme dhe efekte negative në buxhet.
Shehu tha se janë kryer 177 auditime në institucione të ndryshme të vendit. “Kontrolli i Lartë i Shtetit, në cilësinë e autoritetit më të lartë të auditimit të jashtëm publik, në kuadër të detyrimeve kushtetuese për periudhën janar-dhjetor 2022, ka mundur të sigurojë integritetin e proceseve nëpërmjet mbulimit të auditimeve të domosdoshme, ku rezultojnë të kryera 177 misione auditimi. Institucioni ka zhvilluar 35 auditime financiare, 45 auditime të përputhshmërisë dhe 16 auditime performance, 5 auditime të teknologjisë dhe informacionit dhe 60 auditime të kombinuara”, tha kreu i KLSH.
Shehu më tej tregoi dhe shifrat e dëmeve që janë konstatuar në bazë të fushave. Dëmi më i madh është në fushën e tatimeve dhe doganave, pasi janë 107,488,177,000 lekë efekte negative.
“Nga auditimet e kryera janë konstatuar 1.508.739.000 lekë dëm ekonomik, nga të cilët 52 për qind në fushën e të ardhurave dhe pjesa tjetër në shpenzime. Dëmi në të ardhura është evidentuar kryesisht në fushën e shitjes dhe dhënies me qira të pasurive shtetërore. Ndërsa në shpenzime, 91 për qind i përket dëmit në shpenzime për investime, ndërsa pjesa tjetër në shpenzime operative në fushën e pagave etj. Paligjshmëri në fushën e financave publike janë konstatuar në total 88,513,854,000 lekë. Në pjesën më të madhe në fushën e shpenzimeve. Ka mangësi kontrolluese në aspektin tatimor dhe doganor, me dëm në vlerën 107,488,177,000 lekë”, tha Shehu.
Raporti shkaktoi dhe përplasje më pas mes opozitës dhe mazhorancës. Gjetjet nuk u kapërdinë fort nga deputetët e PS. Ndërsa opozita kërkoi nga mazhoranca që të reflektojë mbi gjetjet në fjalë.
KLSH ka gjetur gjithashtu shkelje në zbatimin e kontratave koncesionare/PPP, që sipas raportit, “rezulton se janë kryer pagesa për vitet e kaluara në vlerën prej 15 292,593 mijë lekë ose 2.5 % e shpenzimeve gjithsej për to, të cilat përbëjnë risk të shtuar për krijimin e detyrimeve të prapambetura”.
Duke përmbledhur shkeljet e gjetura, Shehu u tha deputetëve se: “kemi evidentuar raste të përdorimit të fondeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet në fushën e prokurimit publik, shkelje të disiplinës buxhetore në programimin dhe realizimin e shpenzimeve publike me pasojë krijimin e detyrimeve të prapambetura, parregullsi dhe shkelje në administrimin e të ardhurave tatimore si dhe në keqadministrimin e pronës publike dhe mjedisit”.
Në këtë kuadër ai sugjeroi se është e nevojshme të rishikohet kuadri ligjor si dhe orientimi i ndërhyrjes së qeverisë në, atë që ai e quajti, “raportin kosto-përfitim për çdo projekt me financim të buxhetit të shtetit”.
Ai bëri të ditur se në bazë të këtyre gjetjeve, KLSH ka referuar në organet kompetente 4 kallëzime penale pranë Prokurorive të rretheve gjyqësore për 16 zyrtarë të niveleve të ndryshme.
Në të paktën 7 raste, shtoi Shehu, vendimet e tij për trajtim tekniko-juridik për vlerësim të elementëve penalë janë referuar pranë organit të prokurorisë dhe më pas i janë dërguar Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Lini një Përgjigje