TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Korrik 2025, 10:09

Urdhri i Ramës, shkarkohet kupola drejtuese e Policisë së Shkodrës

Shkruar nga Pamfleti
Urdhri i Ramës, shkarkohet kupola drejtuese e Policisë së
Drejtori i policisë së Shkodrës Fatmir Lleshaj dhe shefi i komisariatit Nik Nikolla

Shkarkohen nga detyra të gjithë drejtuesit e policisë së Shkodrës.

Pas urdhrit të kryeministrit Rama për zaptimin e hapësirave publike, Drejtori i Policisë së Shtetit Ilir Proda ka shkrirë kupolën drejtuese të Policisë së Shkodrës.

Një vendim i tillë vjen pas aksionit të qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth, ku po hiqen kabinat e vendosura për pritjen e turistëve.

Në një deklaratë për mediat, Ilir Proda bën me dije se ka shkarkuar nga detyra drejtorin e policisë së Shkodrës Fatmir Lleshaj dhe shefin e komisariatit Nik Nikolla.

Gjithashtu u pezullua nga detyra shefi i stacionit të policisë së Thethit. Proda tha se ndaj tyre ka nisur hetim disiplinor dhe theksoi se "ata nuk meritojnë të jenë pjesë e Policisë së Shtetit".

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, teksa njoftoi shkarkimet, paralajmëroi edhe drejtuesit e qarqeve të tjera se do të mbajnë përgjegjësi nëse konstatohen shkelje. 

Lidhur me ndërtimet pa leje dhe zaptimin e hapësirave publike, Ilir Proda u shpreh se do ketë kontroll të përditshëm nga policia.

"Nisur nga situata e fundit e krijuar me ndërtimet në qendër të Theth, kam urdhëruar për të kryer një hetim të thelluar dhe ju informoj se shefi i stacionit të Policisë Theth është pezulluar menjëherë nga detyra dhe ndaj tij ka nisur procedurat disiplinore.

Besoj se si funksion me mosveprimin e tij të pa justifikueshëm, e ka zgjedhur rrugën e tij për të mos qenë pjesë e policisë së shteti dhe nuk gjej më asnjë arsye që ai të veshë më uniformën e policisë.

Ecuria disiplinore ka filluar edhe ndaj inspektor të zonës dhe ndaj specialistëve të krimit, të cilët po njësoj nuk e meritojnë të jenë pjesë e Policisë së Shtetit.

Përgjegjësia për ndërtimet pa leje nuk mund të mbetet përgjegjësi e vetme e një inspektori zone dhe specialisti krimi, ndaj kam vendosur të shkarkoj nga detyra, Drejtorin  e Drejtorisë Vendore Shkodër, si dhe shefin e Komisariatit të Policisë Shkodrës", tha ai.

Lini një Përgjigje