
Kryetari i Bashkisë, Oltion Çaci, ka emëruar si drejtor të Policisë Bashkiake trafikantin e dënuar Aleksandër Lilo, duke i dorëzuar qytetin një të përjashtuari nga drejtësia për ryshfet dhe mbrojtje të bandave...
Në territorin e Bashkisë Sarandë, zbatimi i ligjit për hapësirat publike është zëvendësuar nga pazaret dhe ryshfetet e drejtorit të Policisë Bashkiake, Aleksandër Lilo. Ky i fundit ka krijuar një rrjet të paligjshëm zaptimesh, duke lejuar vendosjen e bizneseve pa leje në këmbim të pagesave korruptive dhe favoreve personale.
I njohur për lidhje me krimin, Aleksandër Lilo ka vepruar deri në fund të vitit 2013 si Oficer i Policisë Gjyqësore, përpara se të arrestohej dhe të përjashtohej nga policia, pas një procesi penal ku u akuzua për marrje ryshfeti dhe lirimin e trafikantëve nën hetim.

Sipas dosjes penale, Gjykata e Sarandës e dënoi me 15 muaj burg, vendim i konfirmuar më pas nga Gjykata e Apelit Gjirokastër. Në proces u përdorën prova të pakundërshtueshme: përgjime audio dhe video që dokumentonin marrjen e 7 milionë lekëve ryshfet nga babai i dy të arrestuarve për drogë, me qëllim lirimin dhe zbutjen e veprës penale.
Megjithatë, më 29 qershor 2016, Gjykata e Lartë, përmes një trupe prej pesë anëtarësh – Shkëlzen Selimi, Guxim Zenelaj, Edmond Islamaj, Artan Zeneli dhe Tom Ndreca – e shfuqizoi vendimin me burg për Aleksandër Lilon. Të gjithë anëtarët e kësaj trupe janë sot të shkarkuar nga vettingu.
Sipas një tjetër përgjimi të administruar nga autoritetet, Lilo i kishte korruptuar gjyqtarët me nga 20 mijë euro secilin për të shmangur burgun dhe për të shlyer dosjen e tij. Përfaqësues të ONM-së (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit) e kanë përmendur këtë rast si shembull flagrant të korrupsionit dhe favorizimit të elementëve kriminalë në drejtësi.
Pavarësisht vendimeve për përjashtimin përfundimtar të tij nga policia dhe sistemi i drejtësisë, në korrik 2023 Aleksandër Lilo u rikthye në administratë si drejtor i Policisë Bashkiake të Sarandës. Ai vepron sot si “padron” i qytetit, duke uzurpuar hapësira publike, trotuare, lulishte, plazhe dhe duke ushtruar presion të hapur mbi tregtarët, qytetarët dhe bizneset.
Ky emërim skandaloz është firmosur nga kryetari i Bashkisë Sarandë, Oltion Çaci, një personazh që sipas burimeve rezulton i lidhur me aktivitete të dyshimta dhe biznese në zonën e “plazhit të drogës”.
Përkundër vendimeve gjyqësore dhe ndalimeve ligjore për rikthimin në funksione publike, Aleksandër Lilo jo vetëm që nuk është ndëshkuar, por është promovuar në një pozicion ku shfrytëzon pushtetin për interesa private dhe klienteliste. Saranda, në vend që të drejtohet nga ligji, po drejtohet nga njerëz që në çdo shtet normal do të ishin të izoluar nga jeta publike./Pamfleti
Lini një Përgjigje