Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore deri në këtë ore të ditës, ku ndër të tjera vecojmë:
Sipas Bertelsmann Transformation Index, Shqipëria klasifikohet si një demokraci “e mangët”, ndërsa Serbia shihet si autokraci e moderuar. Megjithatë, Shqipëria kryeson në transformimin politik, duke reflektuar përpjekjet për reformë, edhe pse ende ka mangësi në ekonomi dhe qeverisje.
Qeveria shqiptare ka pranuar rritjen e çmimeve të produkteve bazë dhe të karburanteve, duke theksuar se nuk mund të ndërhyjë për të frenuar luhatjet. Ministrja Ibrahimaj ka deklaruar se funksionojnë grupe monitorimi për mbi 80 produkte, përfshirë naftën, ndërsa disa importues kanë kërcënuar të pezullojnë shitjen për të shmangur humbjet.
Opozita ka depozituar kërkesë për interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari, duke ngritur shqetësime mbi korrupsionin dhe ndikimin e grupeve kriminale në Policinë e Shtetit, duke u bazuar në raportet e Komisionit Europian dhe Departamentit Amerikan të Shtetit për drogën dhe krimin.
Në drejtësi, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ka kërkuar gjykim të shkurtuar për çështjen “SASPAC”, që do të mundësonte ulje të dënimit në rast të shpalljes fajtor. Beqaj është akuzuar për korrupsion, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të barazisë në tendere gjatë kohës që drejtonte agjencinë që menaxhonte fondet e BE-së. Ndërsa në një tjetër rast gjyqësor, biznesmeni Behgjet Pacolli ka hedhur poshtë pretendimet se kishte dijeni për vrasjen e Liridona Ademajt, duke theksuar se emri i tij po përdoret padrejtësisht për alibi nga të akuzuarit.
Ndërkombëtarisht, DASH ka përditësuar listën e vendeve me rrezikshmëri të lartë për udhëtime, duke vendosur Shqipërinë dhe Kosovën në Nivelin 2, ndërsa fëmijët ukrainas të rrëmbyer nga konflikti po dërgohen në kampe indoktrinimi të lidhura me kompanitë ruse të naftës, Gazprom dhe Rosneft.
Lini një Përgjigje