Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore nga vendi, rajoni e bota deri në këtë orë, ku ndër të tjera veçojmë:
Sot, situata politike dhe ligjore në Shqipëri ka qenë e tensionuar.
Deputetët e opozitës bojkotuan edhe mbledhjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, ndërsa mazhoranca paralajmëroi se procesi do të vazhdojë pavarësisht mungesës së tyre. Kjo bëri që të rikthehen përplasjet e brendshme në PD dhe Berisha të bëjë hap pas.
Taulant Balla bëri thirrje për pjesëmarrje, duke paralajmëruar se në të kundërt, reforma mund të miratohet vetëm nga socialistët, duke hapur rrugën për zgjedhjet e vitit 2027.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Rama për asgjësimin e drejtësisë dhe e cilësoi qeverisjen e tij një “narkodiktaturë”.
Ai theksoi rëndësinë e protestës së 10 shkurtit si një moment kyç të kryengritjes paqësore dhe bëri thirrje për mobilizim të qytetarëve, veçanërisht të rinjve, ndërsa theksoi se e gjithë Europa dhe bota po ndjek zhvillimet.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama sulmoi gjyqësorin lidhur me kërkesat për rritje page, duke i cilësuar ato si jashtë çdo logjike institucionale dhe duke paralajmëruar se qeveria do të ndërmarrë masa të tjera për të mbrojtur buxhetin e shtetit.
Në fushën ligjore, u mbyll shqyrtimi paraprak i çështjes së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, me dyer të mbyllura dhe debate të forta.
Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe shpërdorim detyre, ndërsa seanca e radhës do të zhvillohet më 9 shkurt.
Po ashtu, GJKKO kaloi për gjykim çështjen ndaj ish-kryebashkiakut të Tropojës, Rexhë Byberi, për shpërdorim detyre, me një dëm ekonomik mbi 277 milionë lekë.
Në ngjarjet e fundit, atentati në Lezhë shkaktoi plagosjen e dy personave, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e autorëve.
Ndërsa, në skenën ndërkombëtare, një draft amerikan për marrëveshjen Serbi–Kosovë mbërriti në Beograd me formulën “merre ose lëre”, duke shqetësuar Brukselin dhe rajonin.
Në planin global, zëvendëskryetari rus Medvedev paralajmëroi se Moska mund të përdorë armët bërthamore në rast rreziku ekzistencial, ndërsa në SHBA, mbështetja për presidentin Trump qëndron rreth 37%, duke reflektuar tensionet brenda bazës së tij politike.
Në kulturë, ceremonia e 68-të e Çmimeve Grammy në Los Angeles nxori në pah yjet e mëdhenj: Kendrick Lamar fitoi pesë çmime, Bad Bunny mori Albumin e Vitit, ndërsa Billie Eilish dhe Olivia Dean shquheshin për çmimet kryesore.
Lini një Përgjigje