
Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Projekti i përgjimit ‘Smart City’
Peleshi rrëzon kërkesën e PD për interpelancë me Ramën
Në seancën e sotme parlamentare, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi njoftoi se interpelanca me kryeministrin Rama e kërkuar me urgjencë nga deputetët e PD për ”Smart City”, nuk pranohet.
“Kam kthyer përgjigje për mospranim ndaj një kërkese urgjente për një interpelancë nga grupi parlamentar i PD. Nga shqyrtimi i saj rezulton se objekti nk lidht drejtpëdrejt me një veprim apo mosveprim konkret të Këshillit të Ministrave, por mbështetet në raportime mediatike, emisione investigative dhe pretendime nga palë të treta. Kërkesa nuk përmbush natyrën dhe qëllimin kushtetues. Kërkesa për interpelancë urgjente nuk pranohet”, tha Peleshi.
Projekti ‘Smart City’, kambana alarmi për survejim masiv në Shqipëri
Në një ceremoni zyrtare në Abu Dhabi në prill 2024, ish-ministri i Brendshëm, Taulant Balla, nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me kompaninë ‘Presight AI’, pjesë e grupit G42 me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Marrëveshja parashikon instalimin e një rrjeti të avancuar kamerash dhe radarësh në qytetet kryesore të Shqipërisë, që premton të rrisë sigurinë publike dhe të transformojë menaxhimin e trafikut përmes teknologjive bashkohore, përfshirë inteligjencën artificiale.
Megjithatë, marrëveshja e klasifikuar si sekrete nga qeveria shqiptare, ka ngjallur shqetësime midis aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe ekspertëve të privatësisë, të cilët paralajmërojnë për potencialin e abuzimit dhe mungesën e transparencës në projektet e këtij lloji.
Përfshirja e kompanisë ‘Presight AI’, pjesë e grupit ‘G42’ që po përballet me akuza për lidhje me qeverinë kineze dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, i ka shtuar këto shqetësime dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e të dhënave personale dhe sovranitetin e informacionit që do të mbildhet nga sistemi.
Financimi i partive
OSBE vendos ‘vijat e kuqe’
OSBE/ODIHR ka publikuar një opinionin urgjent për projektligjin e ri “Për financimin e partive politike” në Shqipëri.
Sipas dokumentit, ODIHR thekson se projektligji krijon një strukturë më të detajuar për të ardhurat, financimet dhe shpenzimet e partive politike.
Një nga risitë kryesore është krijimi i Platformës Elektronike të Raportimit, që synon publikimin në kohë reale të të dhënave financiare.
Projektligji parashikon gjithashtu forcimin e rolit të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në auditimin dhe monitorimin e financave partiake. ODIHR vlerëson edhe kufizimet më të forta për transaksionet cash, si dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm.
Ndërkohë, një fond prej 5% i grantit publik propozohet të përdoret për promovimin e barazisë gjinore dhe pjesëmarrjes së të rinjve në politikë. Pavarësisht vlerësimeve pozitive, ODIHR paralajmëron se projektligji nuk mbron mjaftueshëm nga financimet indirekte dhe “donatorët fiktivë”, që mund të përdoren për të shmangur kufijtë ligjorë të donacioneve. Ekspertët kërkojnë gjithashtu më shumë transparencë për pronarët realë të kompanive donatore, rregulla të qarta për huatë politike dhe sanksione proporcionale për shkeljet financiare.
Sipas raportit, suksesi i reformës do të varet nga fuqizimi i KQZ-së me burime dhe kompetenca hetimore, ndërsa opinioni vjen në një moment kyç për integrimin europian të Shqipëria dhe luftën kundër korrupsionit.
Oligarku i Orbanit kërkon 'shpëtim' në Ballkan
Pas takimit me Ramën, Gellért Jászai zbarkon në Mal të Zi
Humbja e pushtetit nga Viktor Orban në Hungari duket se ka vënë në lëvizje rrjetin ekonomike të ndërtuar prej tij ndër vite.
Një nga njerëzit më të fuqishëm të kësaj skeme, biznesmeni Gellért Jászai, po tenton të zhvendosë dhe zgjerojë influencën në Ballkanin Perëndimor, duke përdorur Shqipërinë dhe Malin e Zi si bazë të re për investimet strategjike.
Jászai, aksioneri kryesor i grupit 4iG dhe pronari i “One Albania”, brenda pak ditësh ka zhvilluar takime në Tiranë dhe Podgoricë për projekte të mëdha në telekomunikacion, "Data Center"-a dhe infrastrukturë dixhitale.
Lëvizjet e tij vijnë në një moment kritik për 4iG në Hungari. Kryeministri i ri Peter Magyar ka paralajmëruar auditime, hetime dhe ndërprerje të kontratave shtetërore për kompanitë që u fuqizuan gjatë viteve të Orbanit përmes lidhjeve politike dhe favoreve shtetërore.
Mes tyre është pikërisht 4iG, kompania që në vetëm pak vite u kthye nga një biznes modest në një gjigant telekomunikacioni me vlerë miliarda euro.
'Vepron si strukturë kriminale'
Artan Hoxha: AKSHI, qeveri paralele që kontrollonte shtetin
Gazetari Artan Hoxha thotë se AKSHI-n si “qeveria paralele e Shqipërisë”, duke argumentuar se publiku nuk e ka kuptuar kurrë peshën reale të këtij institucioni në kontrollin e sistemeve strategjike të shtetit dhe në ndikimin mbi sigurinë kombëtare.
Sipas tij, përmes fuqisë financiare dhe ndikimit në media, AKSHI ndërtoi një imazh të paprekshëm, ndërsa në prapaskenë operonte si një instrument për kontroll politik, ekonomik dhe mediatik
Hoxha shkoi më tej, duke e cilësuar AKSHI-n si “formën më industriale” të përdorur nga pushteti për të vjedhur taksat e shqiptarëve dhe për të ndërtuar një simbiozë të paprecedentë mes shtetit dhe botës së krimit.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje