TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet14 Maj 2026, 11:38

Belinda Balluku rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkon heqjen e pezullimit nga detyra

Shkruar nga Pamfleti
Belinda Balluku rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkon heqjen e
Belinda Balluku

Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs, ku kërkon heqjen e masës së pezullimit nga detyra, të vendosur ndaj saj me kërkesë të SPAK dhe të miratuar nga GJKKO në nëntor 2025. Masa është lënë në fuqi edhe nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit.

Rekursi është depozituar sot dhe tashmë pritet vendimmarrja e Gjykatës së Lartë mbi kërkesën e saj.

Në tetor të vitit 2025, Balluku u mor e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë. Një muaj më pas, ajo u vu nën hetim edhe për procedurat që lidhen me 7 lotet e Unazës së Madhe, ndërsa iu komunikua edhe masa e pezullimit nga detyra si zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës.

Megjithëse kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga detyra në shkurt 2026, masa e pezullimit vijon të mbetet në fuqi, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që konfirmoi vlefshmërinë e saj.

Ndaj Ballukut është lënë në fuqi edhe masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit. Ish-numri dy i qeverisë kishte kërkuar heqjen e kësaj mase, por Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e saj.

Belinda Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë, ndërsa është nën hetim edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe dhe dyshohet gjithashtu për përfshirje në tre tenderë të tjerë.

Lini një Përgjigje