TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Maj 2026, 11:43

UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti
UPDATE/ Edicioni Informativ, ora 12:00
Edicioni i lajmeve

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Padia e Veliajt kundër prokurorit Ols Dado/ Zhvillohet sot seanca në Gjykatën Administrative

Gjykata Administrative pritet të shqyrtojë sot padinë e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, kundër prokurorit të SPAK, Ols Dado. Veliaj kundërshton ligjshmërinë e emërimit të Dados si prokuror në vitin 2008, duke pretenduar se ai nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës dhe nuk plotësonte kushtet ligjore për t’u emëruar në detyrë.

Sipas pretendimeve të paraqitura nga pala paditëse, Dado nuk përfiton as nga kriteret përjashtuese që do ta lejonin të kualifikohej për postin e prokurorit pa përfunduar këtë shkollë.

Deputeti Plarent Ndreca deklaroi se edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë është bërë pjesë e asaj që ai e cilësoi si një “harmoni institucionale” për të shmangur shqyrtimin në themel të çështjes.

Sipas Ndrecës, dokumentet dhe provat e administruara deri më tani tregojnë se Presidenti i asaj kohe, Bamir

Topi, ka firmosur dekretin e emërimit të Ols Dados pa kryer verifikime të plota mbi kushtet ligjore që kërkonte posti.

Kuvendi miraton uljen e akcizës/ Rama shkon pas mesnate për votimin; rrëzohen propozimet e PD

Parlamenti ka miratuar në mesnatë me votat e socialistëve aktin normativ për uljen me 20% të akcizës për karburantet kur çmimi i benzinës kalon 220 lekë për litër.

Edhe pse opozita e kërkoi gjithë ditën për interpelancat, kryeministri Rama erdhi vetëm pas mesnate për procesin e votimit në seancën maratonë të Kuvendit.
Votat e socialistëve rrëzuan propozimet e demokratëve për uljen e çmimit të naftës.

PD kërkonte përmes projektligjeve reduktimin e taksës së qarkullimit, uljen e akcizës mbi naftën si dhe zerimin e akcizës së gazit për industrinë prodhuese “Made in Albania”.

Rama iku pa e votuar projektvendimin “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës së Entit Rregullator të Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura

(ERRU)”, që u miratua me 84 vota pro, 24 vota kundër dhe 0 abstenim.

Sot protesta e PD/ Ambasada e SHBA paralajmëron qytetarët e saj të bëjnë kujdes

Ambasada amerikane kërkon shmangien e zonës së protestës dhe paralajmëron për masa të shtuara sigurie, bllokime rrugësh dhe kufizime të qarkullimit.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka lëshuar një paralajmërim për qytetarët amerikanë lidhur me protestën e opozitës që pritet të zhvillohet të premten, më 8 maj, në kryeqytet.

Njoftimi vjen edhe pse kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar publikisht se protesta do të jetë paqësore.

Në deklaratën e publikuar nga ambasada amerikane theksohet se grumbullimet masive, edhe kur nisin paqësisht, mund të përshkallëzohen në mënyrë të papritur.

Rritet me 20 për qind oferta për punonjës/ Pagat sezonale në Jug për sanitare arrijnë deri në 1,200 euro

Ashtu si një vit më parë, edhe këtë sezon turistik baret, restorantet dhe hotelet në jug të vendit po përballen me mungesë të fuqisë punëtore, duke ofruar paga për punonjësit sezonale në pozicione si sanitare apo pjatalarëse deri në 1200 euro në muaj.

Sipas njoftimeve të agjencive të ndërmjetësimit të punësimit, në zonat turistike si Ksamil, Sarandë dhe Dhërmi po kërkohen punonjës për disa pozicione shërbimi.

Kërkesa më e lartë është për sanitare në hotele dhe resorte me paga nga 100 mijë deri 120 mijë lekë dhe pjatalarëse me paga 120 mijë lekë në muaj. Biznese të “Shkëmbi i Kavajës” gjithashtu po kërkojnë punonjës për çadrat në plazh me paga deri në 80 mijë lekë në muaj.

Për të gjitha pozicionet e shërbimeve, përveç pagës mujore, bizneset ofrojnë edhe akomodim dhe ushqim falas.
Drejtues të agjencive të punësimit bëjnë pohojnë se këtë vit oferta nga bizneset janë rreth 20% më të larta krahasuar me një vit më parë.

Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje