Prilli i vitit 2026 është klasifikuar si prilli i tretë më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë në nivel global, bazuar në të dhënat e publikuara nga shërbimi meteorologjik i Bashkimit Evropian, Copernicus Climate Change Service.
Sipas raportit, temperatura mesatare e ajrit në sipërfaqen e Tokës gjatë muajit prill arriti në 14.89°C, duke qenë 0.52°C mbi mesataren e periudhës 1991-2020. Rekordin për prillin më të nxehtë e mban viti 2024, ndërsa viti 2025 renditet i dyti.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se prilli i vitit 2026 ishte 1.43°C më i ngrohtë krahasuar me mesataren e periudhës para-industriale 1850-1900, duke forcuar sinjalet për vijimin e ngrohjes globale.
Temperatura mbi normalen sezonale janë regjistruar edhe në Evropë. Mesatarja e temperaturës në kontinent gjatë prillit rezultoi 8.88°C, ose 0.50°C mbi mesataren e viteve 1991-2020. Kjo e rendit prillin 2026 si prillin e dhjetë më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë në Evropë, ndërsa rekordi vijon të mbahet nga prilli i vitit 2018.
Në të njëjtën kohë, edhe temperaturat e sipërfaqes së detit mbeten pranë niveleve rekord. Gjatë prillit 2026, temperatura ekstrapolare e sipërfaqes së detit arriti në 21.00°C, niveli i dytë më i lartë i regjistruar për këtë periudhë të vitit. Rekordi absolut mbetet ai i vitit 2024, gjatë fenomenit klimatik El Niño.
Ekspertët paralajmërojnë se një tjetër fenomen El Niño mund të zhvillohet në muajt në vijim, gjë që mund të ndikojë në rritjen e mëtejshme të temperaturave globale.
Lini një Përgjigje