Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
Shqipëria shpall sot Iranin shtet terrorist/ Balla kritika opozitës: Nuk dolën nga interesi i tyre
Seanca plenare në Kuvend ka nisur pas miratimit nga Konferenca e Kryetarëve të përfshirjes në rendin e ditës të projekt-rezolutës së Partisë Socialiste për shpalljen e Iranit si shtet sponsor të terrorizmit.
Ashtu siç kishte paralajmëruar më herët, opozita nuk është e pranishme në sallë, duke bojkotuar seancën me argumentin se projekt-rezoluta nuk ishte parashikuar në rendin e ditës. Në sallën e Parlamentit, vendet e opozitës janë pothuajse të gjitha bosh, me përjashtim të deputetëve Redi Muçi dhe Erald Kapri.
Gjatë seancës, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, prezantoi projekt-rezolutën, duke shprehur keqardhje për mungesën e opozitës në një moment që ai e cilësoi të rëndësishëm.
Sipas Ballës, terrorizmi përbën jo vetëm akte dhune, por edhe përpjekje për destabilizim dhe minimin e rendit demokratik.
Balla u ndal edhe te sulmet kibernetike ndaj Shqipërisë, duke përmendur sulmin e vitit 2022 ndaj institucioneve shtetërore, si dhe një incident të fundit që kishte në shënjestër Kuvendin. Ai i cilësoi këto si akte armiqësore që synojnë destabilizimin e institucioneve.
Projekt-rezoluta synon dënimin e çdo forme të mbështetjes shtetërore për terrorizmin dhe u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të shpallin Gardën Revolucionare të Iranit dhe Hezbollah-un si organizata terroriste.
Nga vjedhja te pastrimi i parave/ SPAK i komunikon akuzat të pandehurve në dosjen “Bankers”
SPAK ka përfunduar hetimet lidhur me dosjen ‘Bankers’, ndërsa ka ngritur 3 akuza për 6 të pandehur të çështjes që fillimisht u hetua nga Prokuroria e Fierit dhe më pas u transferua në Tiranë.
Akuzat u janë komunikuar Leonidha Çobos, Ritvan Zotos, Elvira Plakut dhe 3 ish-punonjësve të Ministrisë së Financave.
Gazetarja Klodiana Lala, referuar informacioneve nga SPAK, bëri të ditur se ndaj tyre rëndojnë akuzat shpërdorim detyre, vjedhje përmes shpërdorimit të detyrës dhe pastrim parash. Referuar dosjes hetimore, të pandehurit rezultojnë se blinin toka dhe ja jepnin me qira të lartë kompanisë Bankers.
Ndërkohë SPAK vijon hetimet për një nga ato që konsiderohen aferat më të mëdha në fushën e hidrokarbureve.
Hetimet e SPAK janë kryer nga prokuroret Anita Jella dhe Enkeleida Millonai, ndërsa janë shtrirë edhe mbi veprimet e organeve tatimore që ndër vite kanë lejuar abuzimet e Bankers.
Tjetër skandal ushqimor në Tiranë/ AKU bllokon 738 kg mish pule të rrezikshëm
Një tjetër rast shqetësues për sigurinë ushqimore është konstatuar në Tiranë, ku inspektorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) kanë ndërhyrë në një subjekt tregtar, duke sekuestruar një sasi të konsiderueshme mish pule.
Gjatë kontrollit në ambientet e biznesit KMY, u bllokuan 738 kilogramë fileto dhe gjoks pule, pasi u evidentuan shkelje serioze të standardeve higjieno-sanitare.
Sipas verifikimeve, mishi ishte trajtuar në kushte të papërshtatshme, duke u vendosur në tokë gjatë proceseve të ngrirjes dhe shkrirjes. Po ashtu, produkti ruhej në një ambient ku u konstatuan myk dhe ndryshk, elementë që përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e konsumatorëve.
Autoritetet theksojnë se, në mungesë të ndërhyrjes në kohë, kjo sasi mund të kishte përfunduar në treg dhe të ishte konsumuar si produkt i sigurt.
Në përfundim të inspektimit, AKU Tiranë vendosi pezullimin e aktivitetit të subjektit deri në plotësimin e të gjitha kushteve ligjore. Ndërkohë, sasia prej 738 kilogramësh mish pule e sekuestruar do t’i nënshtrohet procesit të asgjësimit.
Humbi vëllanë në masakrën e Gërdecit/ Durda: Shkëlzen Berisha komunikoi me ish-ministrin 5 minuta pas shpërthimit
Geraldo Durda, i cili humbi vëllanë në masakrën e Gërdecit më 15 mars 2008, thotë se shpërthimi i ndodhur në fabrikën e demontimit të armëve, është krim shtetëror.
Në një intervistë për “Ora e Fundit” në ABC News, Durda u shpreh se Shkëlzen Berisha, djali i Sali Berishës, i cili ishte kryeministër asokohe, komunikoi me Fatmir Mediun, ministrin e Mbrojtjes, 5 minuta pas shpërthimit në Gërdec.
Durda deklaroi se për këtë ka prova në Gjykatën e Posaçme, ku janë tabulatet telefonike. Sipas Durdës, ka dëshmi të punëtorëve në Gërdec, të cilët thonë se Shkëlzen Berisha është parë në fabrikën e demontimit.
Çifti i tenderëve/ Si Arlinda dhe Edigen Pogaj kanë marrë peng 70% të blerjeve publike
Gjatë 12 viteve si shefe e tenderëve në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", Bashkinë e Tiranës, Agjencinë e Parqeve, Drejtorinë e Burgjeve, Drejtorinë e Transportit dhe prej 2 vitesh si Drejtoreshë e Operatorit Qendror të Tenderëve, Arlinda Pogaj ka bërë batërdinë.
Por për të fshehur përfshirjen e drejtpërdrejtë, përveç vartësve të besuar, ajo ka angazhuar edhe bashkëshortin, Edigen Pogaj, në rolin e krye-sekserit të tenderëve.
E njohur si e preferuara e Blendi Gonxhes dhe e emëruar me pëlqimin e Edi Ramës në krye të këtij operatori ku zhvillohen rreth 70% e tenderëve të institucioneve, Arlinda Pogaj merr prej tyre listat e kompanive që duhet të përfitojnë tenderët me vlera të mëdha dhe i zbaton.
Por në paracaktimin e fituesve, ajo ka përfshirë dhe bashkëshortin Edigen Pogaj si person kontakti dhe pazaresh me pronarët e kompanive private; i cili ka krijuar rrjetin e klientëve që marrin shumicën e tenderëve të zhvilluar nga Operatori Qendror i Blerjeve të Përqendruara.
Bashkëshortët "Pogaj" që njihen ndryshe edhe si "Çifti i tenderëve", pa marrëveshjen me të cilët kompanitë nuk mund të fitojnë, nëse nuk bëjnë pazare paraprake të pjesës që duhet të japin paradhënie; ndërsa drejtoresha Arlinda dhe bashkëshorti Edigen sajojnë kriteret e çdo tenderi, i përshtatin kushteve që plotësojnë kompanitë dhe vlerën e kontratave.
Për më shumë, klikoni në linkun e lajmeve të orës 12.00
Lini një Përgjigje