Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:
'Paralizohet' juglindja, reagon ARRSH
Do ripunohet projekti i aksit të ri Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë
Prej gjashtë ditësh qarkullimi drejt juglindjes mbetet i ndërprerë pas shembjes të aksit Librazhd–Prrenjas.
Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se ekipet po punojnë për largimin e masave të dherave në rrugën ekzistuese dhe kanë nisur ndërhyrjet për sistemimin e rrjedhës së lumit Shkumbin. Situata u përkeqësua pas erozionit të vazhdueshëm në zonë, ndërsa një ditë më parë u demontua edhe ura në “Arrat e Gurrës” pasi doli jashtë funksioni.
ARRSH sqaron se për aksin e ri në ndërtim, pas përfundimit të studimit gjeologjik, do të rishikohet projekti i zbatimit për segmentin Elbasan–Librazhd–Qafë Thanë, pjesë e Korridori VIII.
Shembja e rrugës lidhet me gërryerjen e vazhdueshme në basenin e Shkumbinit. Dyshohet se ndërhyrjet masive të kompanive private, të pajisura me leje shtetërore për punimet në segmentin e ri Elbasan–Qafë Thanë, mund të kenë ndikuar në destabilizimin e terrenit.
ARRSH ka vendosur të ndërtojë një rrugë provizore rreth 1.3 kilometra buzë Shkumbinit për të rikthyer përkohësisht qarkullimin, por nuk ka bërë publik një afat të saktë për hapjen e saj.
Jahti luksoz në emër të saj
Thirret në SPAK vartësja e biznesmenit Ermal Beqiri
Ditën e sotme, Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka thirrur për deklarime Xhenila Tamizin, e cila rezulton vartëse e biznesmenit në arrati Ermal Beqiri.
Në emër të Tamizit dyshohet se Beqiri ka regjistruar pronësinë e një jahti luksoz, i cili mendohet të jetë pjesë e pasurive të vendosura për të fshehur origjinën reale të pronësisë.
Jahti është bllokuar nga SPAK dhe aktualisht ndodhet i ankoruar në portin e Durrësit, në pritje të përfundimit të verifikimeve dhe procedurave ligjore. Hetimet po përqendrohen në gjurmimin e pasurive dhe dokumentimin e rolit të personave të përfshirë në skemën e dyshuar.
Hetuesit kanë zbuluar jahti luksoz në pronësi të Ermal Beqirit rezulton se ka vlerë të konsiderueshme, në rreth 950 mijë dollarë.
Hetimet e SPAK-ut po përqëndrohen edhe në prona të tjera të fituara nga kompania “Soft&Solution” dhe “EA Solution”, pasi sipas informacioneve janë përqëndruar në Tiranë, në sektorin e ndërtimit dhe në prona të paluajtshme në disa vende të Shqipërisë. Po ashtu, SPAK po kërkon informacion edhe tek bankat e nivelit të dytë për të gjurmuar paratë, si dhe hipotekat.
Monika Kryemadhi ironizon në SPAK
“Po iki drejt një beteje ligjore domethënëse”
Monika Kryemadhi është paraqitur sot në ambientet e SPAK. Kryemadhi ndaloi përpara mediave, ku nuk munguan ironitë dhe batutat teksa hynte në Prokurorinë e Posaçme.
Kryemadhi deklaroi se po përballet me një proces të rëndësishëm ligjor.
“Mirëmëngjesi të gjithëve. Tani po ikim drejt një beteje ligjore shumë domethënëse. A jeni lodhur, apo hiç fare.”, tha Kryemadhi.
Më 28 korrik 2025, SPAK njoftoi mbylljen e hetimeve dhe dërgimin për gjykim të çështjes penale kundër ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, të akuzuar për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Meta i cili prej më shumë se një viti ndodhet në burg akuzohet për korrupsion pasiv në tre raste, dy prej të cilave në bashkëpunim. Ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi është marrë e pandehur për korrupsion pasiv në dy raste të kryera në bashkëpunim.
PS mbledh Grupin Parlamentar
Rama vendos sot 'fatin politik' për Belinda Ballukun
Kryeministri Edi Rama mbledh sot në Pallatin e Brigadave ministrat dhe deputetët e PS, në një takim që zhvillohet në pritje të një qëndrimi zyrtar për çështjen që përfshin zv/kryeministren Belinda Balluku.
Takimi nis me fjalën e kreut të qeverisë. Më pas, dhjetë ministra raportojnë për sektorët që drejtojnë, projektet në zbatim dhe ecurinë e punës në institucionet përkatëse. Në përmbyllje të mbledhjes, fjalën e merr kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Katër ditë më parë, prokurorët e SPAK paraqitën në Kuvend argumente shtesë dhe kërkuan autorizim për arrestimin e zv/kryeministres.
“Belinda Balluku rrezikon deri në 35 vite burg”, thanë Prokurorët e SPAK në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, ku u diskutua imuniteti i ish numrit dy të qeverisë.
Pasi prezantuan provat e reja për Ballukun dhe pasi janë dëgjuar nga anëtarët e Këshillit, tre prokurorët e SPAK, Klodian Braho, Dritan Brençi dhe Dorina Bejko janë larguar.
Ndërsa diskutimet vijuan mes anëtarëve të Këshillit të Mandateve, të cilët do të hartojnë edhe një raport, që do ta çojnë në Kuvend për miratim në datën 5 mars.
Për më shumë, klikoni lajmet e orës 12.00
Lini një Përgjigje