TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet28 Janar 2026, 12:05

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 12:00

Lexues të Pamfleti, ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku më kryesoret veçojmë:

1. GJKKO i rrëzoi kërkesën për lirimin nga qelia/ Meta ankimon vendimin në Apelin e Posaçëm

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ankimuar në Gjykatën e Posaçme të Apelit vendimin e dhënë nga Shkalla e Parë, e cila i rrëzoi sërish kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë “arrest në burg” në një masë më të lehtë.
Mësohet se ankimimi, i bërë kundër vendimit të 5 janarit të GJKKO, është regjistruar në Apelin e Posaçëm më 26 janar.

Kërkesa e ish presidentit për lirim nga qelia është rrëzuar edhe më parë nga të tria shkallët e gjyqësorit që kanë vendosur ta lënë në burg.

Kreu i PL i është drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar se vendimet e tre shkallëve të gjyqësorit që kanë lënë në fuqi masën e arrestit janë antikushtetuese dhe cenojnë Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit. Hetimi përfshin tre çështje të bashkuara në një dosje: aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së në SHBA dhe hetimin pasuror.

2/Kërkesa e SPAK për Ballukun/ Mblidhet sot Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit

Këshilli i Mandateve dhe Imunitetit do të mblidhet sot në orën 12:00 pas kërkesës së SPAK për arrestimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.

Kjo mbledhje vjen në një kohë kur Gjykata Kushtetuese nuk ka dalë ende me një vendim për rastin Balluku.
Socialistët nuk kanë pranuar të shqyrtojnë kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit e Ballukut, deri sa Gjykata Kushtetuese të dilte me një vendim. Kjo e fundit e mori në shqyrtim ankimin e qeverisë në një seancë publike më 22 janar, por ende nuk ka një vendimarrje mbi rastin, pasi gjyqtarëve kushtetues iu duhet më shumë kohë.
Ende nuk dihet nëse Këshilli i Mandateve i drejtuar nga kryeparlamentari Niko Peleshi, do të shqyrtojë kërkesën e SPAK, apo do të kërkojë më shumë kohe si në rastin e kushtetueses.

GJKKO, me kërkesë të SPAK pezulloi nga detyra zv/kryeministren Balluku e pandehur për abuzime me tenderin e Llogarasë, por Kryeministri Rama e cilësoi këtë si një shkelje të kompetencave të tij.

3/Tjetër financim për inceneratorët fantazmë/ 710 milionë lekë të tjera mbi aferën nën hetim

Ndërkohë që SPAK dhe GJKKO nuk e kanë mbyllur ende çështjen e aferës së mbetjeve, qeveria nuk ka mbyllur llogaritë me investimet për to, duke financuar miliona lekë shtesë.

Megjithëse kryeministri Edi Rama i ka inauguruar qendrat e grumbullim-djegies me bujë dhe vijon të deklarojë se ato janë në funksionim sipas projekteve të investimit, këtë javë është zhvilluar një tender për projektimin e infrastrukturës së tyre në Fier dhe Elbasan.

Dokumenti i datës 26 janar 2026, që po publikon “Pamfleti”, dëshmon se qeveria, përmes Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve si ent financues dhe Operatorit të Blerjeve të Përqendruara si ent prokurues, ka finalizuar fonde shtesë për mbetjet.

Procedura e prokurimit ka si objekt: “Projektimi i infrastrukturës së menaxhimit të mbetjeve në zonat e mbetjeve në Fier dhe Elbasan”, e ndarë në dy lote, me vlerë totale kontrate 710 milionë lekë, dhënë kompanisë “Gjeokonsult&Co” sh.p.k.

Për projektimin e infrastrukturës së mbetjeve në Fier, financimi shtesë është 344 milionë lekë me TVSH, ndërsa për zonën e mbetjeve në Elbasan investimi është 366 milionë lekë me TVSH.

Zonat e menaxhimit dhe përpunimit të mbetjeve në Fier dhe Elbasan janë landfillet dhe inceneratorët, për infrastrukturën e venddepozitimit dhe teknologjinë e djegies së të cilëve janë shpenzuar rreth 35 milionë euro në Elbasan dhe 30 milionë euro në Fier, por inceneratorët rezultojnë jashtë funksionit.

4/ Rama shpërndan postimin zyrtar/ Bordi i Paqes: Shqipëria anëtare themeluese

Llogaria zyrtare e “Bordit të Paqes” në rrejtin social në X, të themeluar nga Presidenti amerikan, Donald Trump ka publikuar ftesat për secilin vend, mes tyre edhe Shqipëria.

Lajmi është shpërndarë edhe nga kryeministri Edi Rama.

Në njoftimin e publikuar, “Bordi i Paqes” shprehet se “mirëpret Shqipërinë si anëtare themeluese të organizatës sonë ndërkombëtare në rritje”, ndërsa grafika shoqëruese përmban simbole shtetërore dhe flamurin shqiptar.

Pak ditë më parë në Davos u mbajt edhe samiti që hodhi themelet e këtij Bordi, ku vendet që kishin pranuar ftesën e Donald Trump nënshkruan marrëveshjen.

Shqipëria e përfaqësuar nga kryeministri Rama nuk mori pjesë.

Kreu i qeverisë tha në Parlament se nuk ishte i pranishëm, pasi zgjodhi që të priste në Shqipëri vajzën e Donald Trump, Ivanka Trump.

Megjithatë aderimi i Shqipërisë në këtë organizatë të re u miratua edhe në Parlamentin e Shqipërisë me votat e mazhorancës dhe opozitës.

5/ Ndëshkim politik ndaj Vlorës/ Si e braktisi Rama qytetin pas zgjedhjeve lokale

Avokat Geron Gunbardhi ka komentuar situatën politike dhe institucionale në qytetin e Vlorës, duke hedhur akuza ndaj qeverisë dhe kryeministrit për mënyrën se si po trajtohet ky qytet në vitet e fundit.

Në deklaratën e tij, Gunbardhi u ndal veçanërisht te investimet e shpallura ndër vite për Vlorën, të cilat, kanë mbetur kryesisht në letër, ndërsa në terren qyteti po përballet me një rënie të ndjeshme të pranisë institucionale dhe shërbimeve publike.

Ai theksoi se Vlora, që dikur ishte në fokusin personal të kryeministrit, sot është lënë pas dore dhe po përjeton atë që e cilësoi si një “spastrimi institucional”, ku drejtori dhe institucione kyçe po largohen gradualisht nga qyteti, duke dëmtuar interesat e qytetarëve dhe zhvillimin e zonës.

Sipas avokatit Gunbardhi, janë shpallur mbi 500 milionë euro investime për Vlorën, por në realitet, vetëm një pjesë minimale e tyre janë realizuar. Ai e cilësoi këtë si një praktikë të njohur, ku projektet prezantohen në letra, ndërsa fondet, sipas tij, ose janë shpërdoruar ose janë përgjysmuar. Gunbardhi deklaroi se zhgënjimi i kryeministrit nga rezultati zgjedhor në Vlorë ka ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si po trajtohet qyteti. Sipas tij, pas humbjes së mbështetjes elektorale, Vlora është ndëshkuar politikisht, ndërsa deputetët e qarkut kanë heshtur përballë këtij realiteti.

Ai kujtoi se më herët janë larguar edhe institucione të tjera nga qyteti, përfshirë zyrën e arsimit, Drejtorinë e Rrugëve dhe strukturat e bujqësisë, duke e lënë Vlorën çdo disa muaj pa një drejtori tjetër funksionale.

Sipas tij, mungesa e reagimit qytetar në raste të mëparshme ka inkurajuar qeverinë të vazhdojë këtë politikë të zhvendosjes së institucioneve, duke e dobësuar gjithnjë e më shumë rolin e Vlorës si qendër administrative.
Për më shumë klikoni në edicionin e lajmeve të orës 12:00

 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje