
Shkrimtari Ben Blushi, pas suksesit me botimin e tij të fundit “Inteligjenca Artificiale”, ka lajmëruar publikimin e librit të radhës, “Unknown Albanians”, ose “Shqiptarët e Panjohur”.
Libri i ri i Blushit do të promovohet në fund të muajit Mars dhe do të jetë një libër i mbushur me fotografi, 69 të tilla për të qenë më të saktë. Në këtë botim sipas Blushit janë përzgjedhur 69 fotot më interesante nga një “bagazh” i madh imazhesh të mbledhura në tre vitet e fundit.
Në librin e ri, Blushi përpiqet të paraqesë Shqipërinë e vërtetë, ata që janë “motori” dhe që vënë në lëvizje vendin, njerëzit e thjeshtë, të cilët punojnë gjithë jetën e tyre pa u ndjerë dhe pa u parë nga masat.
Postimi i plotë i Ben Blushit:
“Unknown Albanians”, ose “Shqiptarët e Panjohur”, libri im i ri me fotografi. “Unknown Albanians” ose “Shqiptarët e Panjohur” është libri im më i ri që do të promovohet në fund të këtij muaji. Ky botim është një album fotografik me foto të përzgjedhura nga gati tre vjet pasion për këtë art të mrekullueshëm i cili më ka çuar në shumë vende të Shqipërisë, ku kam takuar njerëz që në kushte të tjera nuk do t’i njihja dot.
Këta njerëz më mësuan të fotografoj prandaj ky botim është një lloj mirënjohje për ta dhe për këtë arsye quhet Unknown Albanians.
Titulli i librit është bërë me qëllim në anglisht sepse do doja që këta njerëz që përfaqësojnë Shqipërinë e vërtetë t’ua prezantoja dhe të huajve që vijnë në Shqipëri.
I bindur se shqiptarët e panjohur i kanë dhënë Shqipërisë më shumë se gjithë shqiptarët e njohur bashkë, besoj se ky album i pasqyron ata siç janë në jetën e tyre të thjeshtë dhe të përditshme.
Prandaj kush do të njohë njerëz të panjohur të cilët nuk dalin çdo natë në televizor, nuk bëjnë debate, nuk ngatërrohen në punët e të tjerëve, nuk bezdisin njeri, vishen thjesht dhe shohin jetën e tyre pa i dhënë mend askujt dhe pa kërkuar asgjë në këmbim të modestisë së tyre, mund ti gjejë në këtë libër me 69 fotografi, kopertina e të cilit është konceptuar si një ekran bardhë e zi në të cilin shfaqet shpina e një djali të panjohur nga Belshi.
Unknown Albanians do jetë në libraritë e Tiranës pas datës 25 mars dhe kushdo që kërkon të ketë një kopje mund të më shkruajë.
Lini një Përgjigje