
Sami Repishti, i mbijetuar nga burgjet e komunizmit në Shqipëri, ndërroi jetë të mërkurën më 27 nëntor 2024, në moshën 99 vjeçare.
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe familja Repishti do të organizojnë ditën e premte një ceremoni nderimi në kujtim të Profesor Sami Repishtit, një personalitet i njohur dhe humanist, pas largimit të tij nga jeta.
Aktiviteti do të mbahet nga ora 10:00 deri në 12.00, në hollin e Rektoratit, të Universitetit të Shkodrës.
Programi i fjalimeve do të jetë:
• 10:00 – Tonin Gjuraj
• 10:10 – Maxhit Cungu
• 10:15 – Nertila Ljarja & Bendis Kraja
• 10:20 – Ardita Repishti
Pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të lënë mesazhet e tyre në një libër ngushëllimesh të vendosur në hollin e ceremonisë.
Ky aktivitet është një homazh për jetën dhe veprën e Profesor Sami Repishtit, duke nderuar kontributin e tij në fushën e humanizmit dhe shoqërisë shqiptare.
Kush ishte Sami Repishti?
Prof. Sami Repishti, i mbijetuar nga burgjet e komunizmit në Shqipëri, ndërroi jetë të mërkurën më 27 nëntor 2024, në moshën 99 vjeçare.
Prof. Repishti lindi në lagjen Dudas të Shkodrës më 6 prill 1925. Pasi studioi për një vit në Firence të Italisë, u kthye në Shqipëri në vitin 1943. Ai u arrestua nga në vitin 1946 me akuzën “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”.
Për 14 muaj iu nënshtrua torturave nga Sigurimi i Shtetit. Ai u dënua me 15 vjet burgim, nga të cilat vuajti 10 vjet në burgun e Shkodrës dhe nëpër kampe pune të detyruar. Në vitin 1956 lirohet nga burgu dhe 4 vjet më vonë, në vitin 1960 arratiset në Jugosllavi. Pas një viti, më 1961 shkon në Itali dhe më 1962 emigroi përfundimisht në Shtetet e Bashkuara.
Ai vazhdoi studimet e larta për frëngjisht duke marrë doktoraturën nga Universiteti i Qytetit të Nju Jorkut dhe Universiteti i Parisit. Ai pati një karrierë të gjatë si arsimtar dhe pedagog. Gjatë gjithë jetës së tij në Shtetet e Bashkuara, Prof. Repishti pati një aktivizim të vazhdueshëm për çështjet e lidhura me shqiptarët. Në vitin 1996 ai themeloi Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe shërbeu si president i tij deri në vitin 1998.
Lini një Përgjigje