
Krybashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ka reaguar për herë të parë pas sigurimit të një vendi në Parlamentin Evropian, si eurodeputet i forcës politike të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, Demokracia e Re.
Përmes një mesazhi nga burgu, Beleri e cilëson zgjedhjen e tij si eurodeputet në PE si një fitore të dritës mbi errësirën.
“Lufta u fitua në kushte të vështira, të paimagjinueshme për një vend që dëshiron të bëhet pjesë e familjes evropiane. Dhe u fitua”, shprehet ai.
Në mesazhin drejtuar mbështetësve, Beleri nënvizon se zëri i minoritetit tani do të jetë dhe më i fortë, dhe se do të punoj shumë për të qenë i dobishëm për partinë e tij, që duket si një kërcënim për një ‘luftë’ të hapur me Edi Ramën.
“Gjatë të gjitha muajve të aventurës sime, më jepte forcë besimi im se drita gjithmonë fiton ndaj errësirës. Dhe se forca e demokracisë mund të përmbysë çdo praktikë puçiste, mjafton që të ketë vullnet dhe besim në një qëllim më të lartë. Siç kishim ne që dhamë këtë luftë. Një luftë për demokracinë, shtetin e së drejtës, liritë dhe dinjitetin e qytetarëve.
Dua të falënderoj nga zemra të gjitha Greket që më nderuan me votën e tyre. Familjen time që u bë gjatë kësaj periudhe mbështetja dhe zëri im. Miqtë në gjithë Greqinë që qëndruan pranë meje në provën më të vështirë të jetës sime. Dhe natyrisht kryeministrin Kyriakos Mitsotakis që më dha mundësinë të jem kandidat, për të cilën do t’i jem gjithmonë mirënjohës.
Vëllezërve të mi të helenizmit verior dua t’u them se nga sot edhe ata mund të ndihen më të fortë. Dhe çdo bashkëqytetari tonë se si eurodeputet do të punoj shumë për të qenë i dobishëm për partinë time, Demokracinë e Re dhe mbi të gjitha për atdheun tone”, deklaron Beleri në reagimin e tij.
Beleri renditet i katërti, mes kandidatëve më të votuar nga partia “Demokracia e Re” e Kyriakos Mitsotakis. Në Himarë ndërkohë ka nisur festa, teksa janë hedhur fishekzjarre, ndërsa njerëzit kanë dalë jashtë për të festuar.
I pari për Demokracinë e Re është gazetari grek Giorgos Autias me 305670 vota. Pason Evangelos Meimarakis me një diferencë prej gati 50 mijë votash (256703), e treta renditete Eliza Vozeberg (243402) dhe më pas Fredi Beleris në vendin e 4 me 234,945.
Lini një Përgjigje