
Pa nisur mirë sezoni turistik, plazhistët vijojnë të rrezikohen nga mjetet lundruese. Drejtuesi i një Jet Ski në plazhin e Palasës është gjobitur me 100 mijë lekë.
Policia njofton se personi i identifikuar me inicialet K.L, teksa lundronte me një Jet Ski ka shkelur perimetrin e sigurisë ujore, duke vënë në rrezik jetën e plazhistëve. Po ashtu, policia ka bllokuar dhe mjetin lundrues në fjalë.
“Shërbimet e Policisë Kufitare Dhërmi, në bashkëpunim me Njësinë Policore Detare, gjatë patrullimit të vijës bregdetare, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në zonat turistike, si dhe për kontrollin e përdorimit të mjeteve lundruese, kanë ndërhyrë menjëherë në plazhin e Palasës, duke bërë bllokimin e një mjeti lundrues Jet Ski që kishte shkelur perimetrin e sigurisë ujore për plazhistët, duke vënë në rrezik jetën e tyre. Shërbimet e Policisë Kufitare e kanë ndëshkuar drejtuesin e mjetit lundrues, shtetasin K. L., me masën administrative 100 000 lekë të rinj si dhe kanë bllokuar mjetin lundrues në Portin Himarë.
Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për plazhisët, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete. Gjithashtu, fton qytetarët që për çdo rast të shkeljes së perimetrit të sigurisë dhe të përdorimit të mjeteve lundruese në mënyrë të parregullt, të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar reagim të shpejtë, në bazë të ligji”, njofton policia.
Rikujtojmë se për shkak të shkeljes së perimetrit së sigurisë, në gusht të viti 2022 humbi jetën vogëlushja 7-vjeçare Jonada Avdia. Vogëlushja ishte duke notuar me babain e saj në det, kur ish-komisari Arjan Tase e përplasi për vdekje.
Për të shmangur tragjedi të tilla, të gjithë drejtuesit e mjeteve lundruese duhet të zbatojnë në mënyrë rigoroze rregullat.
Lini një Përgjigje