
Gazetarja Anila Hoxha ka rrëfyer jetën e prostitutës 32-vjeçare, Luljeta Preza e cila u gjet pa shenja jete poshtë Urës së Dajlanit në Durrës paraditen e së mërkurës (2 Gusht).
Gazetarja tregon se streha e Luljeta Prezës ishte në një copë kartoni, e shtruar mes dheut, dhe se kohët e fundit 32-vjeçarja, lëvizte këmba doras pasi, sipas viktimës, e kishin përplasur me makinë.
“Të gjithë e shfrytëzuan, jo vetëm tutori; një maskara në periferi që e rrihte duke kërkuar shumë e me shumë derisa i shoi cdo gjë njerezore”, shkruan Anila Hoxha, duke shtuar “atje tek Ura e Dajlanit, ajo një grua e destinuar për të jetuar sa në barake, e sa në mes të katër rrugëve”.
Gazetarja tregon se ajo u godit me dy thika në brinjë, “ja lanë aty në baltë vdekjes që mbase ajo e priste”.
Rrëfimi i gazetares Anila Hoxha:
Luljeta Preza! 32 vjeçe. Me një jetë të tmerrshme.
E vetmja pasuri e saj, trupi. Që ja blinin poshtë urës së Dajlanit burrat e orëve të vona. Kacidhe që i përdorte më pas për drogë dhe ushqim rruge. Një copë kartoni ish streha e saj shtruar mes dheut dhe gjymtyreve që muajt e fundit po e linin. Lëvizte këmba doras së fundmi, më shumë zvarritej se sa ngulte këmbët. Thoshte që e kishin përplasur me makinë. Nuk shkoi kurrë në spital. Njëherë vodhi portofolin e njërit prej klientëve, u bë zhurmë e madhe.
Të gjithë e shfrytëzuan, jo vetëm tutori; një maskara në periferi që e rrihte duke kërkuar shumë e më shumë derisa i shoi çdo gjë njerëzore. Një tjetër e një tjetër që vetëm ndryshonte emrin e fytyrën nga ai maskarai. Atje tek Ura e Dajlanit, ajo një grua e destinuar për të jetuar sa në barake, e sa në mes të katër rrugëve.
E destinuar për tu bërë ose lypëse, ose shitëse trupi. Gratë si ajo thuajse nuk egzistojnë. Kur udhëton drejt jugut apo kalon atje do t’i shikosh tek ecin aq dukshëm të shkatërruara, aq dukshëm duke jetuar në mes të një asgjëje të madhe. Zero shanse për tu ringritur. Për gra si ajo që ju shiten në fakt burrave, vrasja e tyre po nga një dorë e tillë, është një krim që ka kohë që ka ndodhur.
Për gratë si ajo të thonë me çudi “po më pyet për jetën e një prostitute????”. E qëlluan me dy thika në brinjë, ja lanë aty në baltën e vdekjes që mbase ajo e priste. Për ironi quhej Luljeta. Sa emër të bukur që kishte!
Lini një Përgjigje