Pano Ruçi, shqiptari që humbi djalin 21-vjeçar në aksidentin hekurudhor të Tempit dhe u bë i njohur për grevën e tij trejavore për drejtësi, ka humbur ndjenjat gjatë procesit gjyqësor në Greqi dhe është dërguar me urgjencë në spital.
Ngjarja ndodhi në kompleksin “Gaiopolis”, ku po zhvillohet gjyqi për tragjedinë, ndërsa Ruçi u transportua me ambulancë drejt Spitalit Universitar të Larisës. Sipas raportimeve, ai pësoi një episod të të fikëtit në sallën e gjyqit dhe u nxor menjëherë për ndihmë mjekësore.
Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se ai ndodhet nën monitorim dhe është në gjendje të qëndrueshme, pa dëmtime serioze.
Megjithatë, një tjetër version paraqitet nga mbrojtja ligjore e tij. Avokatja Zoe Konstantopoulou ka akuzuar policinë për përdorim force ndaj Ruçit dhe familjarëve të tij gjatë seancës.
“Është e paimagjinueshme. Më vjen shumë keq, më shihni të shqetësuar, sepse mua dhe prindërve të mi u ushtrua dhunë. Mirela Ruçi u pengua të më afrohej në sallën e gjyqit, ndërsa unë u pengova gjithashtu, me urdhër të gjykatës, t’i afrohesha. Panos Routsis u dhunua nga gjashtë oficerë policie, të cilët e rrahën”, tha ajo, ndër të tjera.
Nga ana tjetër, presidenti i Federatës Panhelenike të Punonjësve të Spitaleve Publike (POEDIN), Michalis Giannakos, konfirmoi transportimin e Ruçit në spital, duke theksuar se gjendja e tij është nën kontroll. “Drejtësia duhet të vihet në vend”, deklaroi Giannakos.
Rasti ka rikthyer në vëmendje dramën e familjeve të viktimave të aksidentit të Tempit, ndërsa tensionet në sallën e gjyqit vijojnë të mbeten të larta.
Lini një Përgjigje