TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 1 Prill 2026, 11:51

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 12:00

Shkruar nga Pamfleti

UPDATE/ Edicioni informativ, ora 12:00

Lexues të “Pamfleti” ju ftojmë të ndiqni edicionin informativ të mesditës, ku mes të tjerash veçojmë:

Shtyhet seanca gjyqësore e themelit për Erion Veliajn/ Avokati Ndreca: Nuk po i japin mundësinë për t’u mbrojtur

Seanca gjyqësore e themelit ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dhe 29 të pandehurve të tjerë është shtyrë për ditën e premte në orën 09:00. Në seancën e sotme, Veliaj nuk ishte i pranishëm dhe u përfaqësua nga avokati i tij, Plarent Ndreca.

Po ashtu, edhe Ajola Xoxa nuk mori pjesë fizikisht në seancë, duke u përfaqësuar nga avokatët e saj. Të pranishëm në sallë ishin dy prokurorët e çështjes, Ols Dado dhe Altin Dumani.

Një ditë më parë, Gjykata e Posaçme vendosi të shfuqizojë masat e sigurisë “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë vendit” për Ajola Xoxën.

Kërkesa për heqjen e këtyre masave ishte paraqitur nga vetë Xoxa, e cila argumentoi se gjendja e saj shëndetësore, për shkak të shtatzënisë, kërkon mundësi lëvizjeje jashtë vendit.
Erion Veliaj ndodhet në masën e sigurisë “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025. Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka ngritur ndaj tij 13 akuza, mes tyre: korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre, futje e sendeve të ndaluara në burg.

Sipas SPAK, pjesa më e madhe e akuzave lidhet me korrupsionin pasiv, i dyshuar në 9 raste, ku pretendohet se Veliaj ka përfituar shuma monetare dhe pasuri të paluajtshme nga kompani të ndryshme, të cilat më pas kanë marrë leje ndërtimi dhe fonde publike nga Bashkia e Tiranës.

Edhe Ajola Xoxa përballet me akuza për korrupsion pasiv në 9 raste. Sipas SPAK, këto lidhen me marrëdhënie me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse.

Ndërkohë, pas përfundimit të seancës së sotme, avokati Plarent Ndreca u shpreh për mediat se ‘kryebashkiakut të Tiranës nuk po i jepet mundësia për t’u mbrojtur’. Ai sqaroi se Veliaj nuk u paraqit në seancën e sotme pasi është duke u njohur ende me dosjen.

Ekzekutohet vendimi i SPAK/ Jorgo Goro rikthehet në qeli

Ish-kryebashkiaku i Himarës, Jorgo Goro, është rikthyer sërish në burg për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit, shtatë muaj pas lirimit nga qelia. Mbrëmjen e djeshme ai është paraqitur në Komisariatin e Vlorës, ku është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

Rikthimi i tij në izolim vjen pas një vendimi të formës së prerë të Apelit të Posaçëm të GJKKO-së, i cili ka lënë në fuqi dënimin ndaj tij.

Apeli konfirmoi dënimin me 2 vite burg për Goron, i cili për shkak të gjykimit të shkurtuar ishte reduktuar në 1 vit e 4 muaj. Pas përllogaritjes së kohës së kaluar në paraburgim, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka vlerësuar se ish-kryebashkiakut i mbeten edhe 6 muaj e 10 ditë për të shlyer.
Çështja lidhet me tjetërsimin e një prone në zonën e Livadhës, për të cilën Goro ishte dënuar fillimisht nga Gjykata e Posaçme më 30 korrik 2025.

Më herët, Goro kishte vuajtur 17 muaj burg nga një tjetër dënim prej 2 vite e 20 ditësh, në lidhje me tjetërsimin e rreth 10 mijë metrave katrorë tokë në zonën e Gjilekës, në Himarë. Edhe në këtë rast ai përfitoi ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe u lirua pas përfundimit të periudhës së vuajtjes.

Rikthehet dimri në Korçë/ Dëbora arrin deri në 25 centimetra në fshatra

Zonat malore në qarkun e Korçës janë mbuluar sërish nga reshjet e dëborës në fillim të muajit prill, duke rikthyer përkohësisht peizazhin dhe kushtet tipike të dimrit, edhe pse zyrtarisht vendi ndodhet në stinën e pranverës. Ky fenomen nuk është i pazakontë për zonat e larta malore, ku temperaturat mbeten të ulëta dhe reshjet e dëborës mund të rikthehen edhe pas hyrjes në pranverë, duke krijuar kontrast mes kalendarit dhe realitetit klimatik në terren.

Fshatrat turistikë si Dardha dhe Boboshtica vijojnë të ofrojnë pamje dimërore, të cilat tërheqin vizitorë, ndërsa në aksin rrugor Boboshticë-Dardhë trashësia e dëborës arrin deri në 20-25 centimetra, duke vështirësuar qarkullimin në disa segmente.

Aktualisht, kontraktorët janë angazhuar në terren për pastrimin e rrugëve dhe kriposjen e tyre, me qëllim mbajtjen e akseve të kalueshme dhe garantimin e sigurisë për drejtuesit e mjeteve që lëvizin në këtë zonë.

KLSH: Shqipëria po zbrazet/ Politikat e qeverisë vetëm në letër

Shqipëria po humbet popullsinë me ritme alarmante, ndërsa politikat publike mbeten të fragmentuara dhe shpesh vetëm në letër. Një auditim i KLSH zbulon mungesë strategjie, përdorim të dobët të fondeve dhe masa simbolike që nuk adresojnë realitetin ekonomik të familjeve. Mes projeksioneve shqetësuese dhe ndërhyrjeve të paqarta, vendi përballet me një krizë demografike pa drejtim të qartë.

Në letër, Shqipëria ka plane, strategji dhe dokumente që synojnë të adresojnë një nga sfidat më serioze të vendit: moshimin dhe tkurrjen e popullsisë. Në praktikë, sipas një auditimi të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), këto politika shpesh mbeten të fragmentuara, të pakoordinuara dhe, në shumë raste, të shkëputura nga realiteti.

Auditimi, që mbulon periudhën 2020–2025, hedh dritë mbi një hendek të thellë mes zhvillimeve demografike dhe reagimit institucional. Ndërsa vendi përballet me rënie të vazhdueshme të popullsisë, institucionet publike rezultojnë pa një qasje të integruar dhe pa një strategji të vetme kombëtare që adreson fenomenin në mënyrë të plotë.

Për më shumë, klikoni në lajmet e orës 12.00 

 

edicioni i lajmeve pamfleti

Lini një Përgjigje