TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet10 Korrik 2025, 12:45

“TXEX”, skema e mashtrimit online që po rrjep shqiptarët në Signal, Telegram dhe WhatsApp

Shkruar nga Pamfleti

Një platformë e paregjistruar, pa licencë, por me qindra viktima të rekrutuara përmes Telegram, Signal dhe WhatsApp. Paralajmëruar nga FMA e Zelandës së Re, e lidhur me skemën “2139 Exchange”, TXEX është një rrjet ndërkombëtar kriminal që kërkon reagim urgjent nga SPAK, Krimi Ekonomik, EUROPOL dhe EUROJUST

“TXEX”, skema e mashtrimit online që po rrjep shqiptarët

Pas investigimeve të publikuara për platformën kriminale XUEX, një tjetër skemë më e sofistikuar është duke goditur tregun shqiptar: TXEX. Kjo platformë, e paraqitur si shkëmbim kriptomonedhash, është në fakt një strukturë e qartë piramidale, që operon përmes grupeve të koduara në Signal, Telegram dhe WhatsApp, duke imituar funksionin e një call center-i online të paligjshëm, pa zyrë, pa adresë, pa rregullator.

TXEX nuk ekziston në QKB, nuk ka asnjë licencë nga Banka e Shqipërisë dhe nuk është e autorizuar nga AMF, por funksionon çdo ditë, me qindra mesazhe që shpërndahen në telefonat e shqiptarëve, ku individë anonimë paraqiten si “mentorë financiarë”, “ekspertë tregu”, apo “profesorë të investimeve”.

Skema ndjek një logjikë të rafinuar mashtrimi në disa faza:

Faza e parë – joshja: përmes profileve fallco në Instagram, TikTok apo WhatsApp, viktima ftohet të “bashkohet me një grup fitimprurës”.

Faza e dytë – krijimi i besimit: grupe të simuluara në Telegram, të mbushura me bot-e dhe “nxënës të tjerë” që flasin për fitime. “Mentori” komunikon çdo ditë, prezantohet si profesionist, madje krijon lidhje personale me viktimën për të fituar besimin.

Faza e tretë – investimi i parë: viktima udhëzohet të blejë kriptomonedhë në një platformë reale si Binance apo Kraken dhe ta dërgojë në një “llogari tregtare TXEX”. Brenda platformës, fitimet simulohet sikur rriten çdo ditë.

Faza e katërt – rikonfirmimi i besimit: viktima inkurajohet të investojë më shumë dhe të ftojë miq, për të “ngjitur nivelet” dhe për të fituar çmime (makina, bonuse, leaderboards të rreme).

Faza e pestë – bllokimi dhe zhvatja: kur viktima tenton të tërheqë fondet, i kërkohen tarifa false, taksa, AML, komisione. Këto janë tentativa për të nxjerrë edhe më shumë para para se kontakti të ndërpritet dhe platforma të zhduket.

Rrjeti ndërkombëtar dhe paralajmërimi i Zelandës së Re

Skema TXEX është tashmë e identifikuar nga autoritetet ndërkombëtare, përfshirë Autoritetin e Tregjeve Financiare të Zelandës së Re (FMA), që më 17 prill 2025 e ka listuar si platformë mashtruese dhe e ka lidhur direkt me një skemë paraardhëse të njohur si 2139 Exchange. Kjo skemë ka mashtruar me dhjetëra milionë dollarë në Azi dhe Afrikë, duke ndjekur të njëjtën taktikë si TXEX, joshje, simulim fitimi, bllokim fondesh dhe zhdukje. TXEX dhe “2139 Exchange” përdorin të njëjtën infrastrukturë teknike dhe grupet e njëjta të operatorëve që ndodhen kryesisht në Ballkan dhe Azinë Juglindore.


Ndërkohë në Shqipëri, veprimi institucional është inekzistent. Kjo është një çështje e pastër për SPAK, Njësinë e Krimit Ekonomik dhe duhet trajtuar me përparësi edhe përmes kanaleve të EUROPOL dhe EUROJUST, për shkak të natyrës ndërkufitare të rrjetit dhe përmasave të tij.


Pse është ky rast urgjent?

Ka një target të drejtpërdrejtë ndaj tregut shqiptar, me gjuhë, përmbajtje dhe grupe të dedikuara në rrjet.

Shpërndan një aplikacion Android me malware, që shkel privatësinë dhe zhvat të dhënat personale dhe bankare.

Përdor manipulim psikologjik dhe deepfake për të mashtruar, jo thjesht teknologji.

Vepron pa asnjë gjurmë ligjore, por me strukturë të rregullt operacionale, të ngjashme me një kompani të vërtetë, që në fakt nuk ekziston.

© Pamfleti

txex skemë mashtrimi signal telegram ponzi

Lini një Përgjigje